Lëvizja Vetëvendosje, përmes deputetit Driton Çaushi ka përdorur sërish gazin lotsjellës në Kuvend, kësaj radhe në mbledhjen e Komisionit për punë të Jashtme, si masë kundërshtimi ndaj ratifikimit të Marrëveshjes me Malin e Zi për Demarkacionin e kufirit.
Ky Komision diskutoi për më gjatë se një orë projektligjin e Qeverisë së Kosovës për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi dhe në momentin kur pritej të votohej që i njëjti t’i procedohej Kryesisë së Kuvendit për procedurat e mëtejshme, Çaushi hodhi gazin lotsjellës, metodë kjo që po përdoret nga ky subjekt politik që nga shtatori i vitit të kaluar, citon Radio Evropa e Lirë. Vetëvendosje ka paralajmëruar se nëse Kuvendi ratifikon këtë Marrëveshje, atëherë kundërshtimi i saj do të jetë me masa radikale që do të mund të reflektojnë në gjendjen e gjithanshme të sigurisë në vend.