Vajza e 47-vjeçarit Ardian Kallami, i cili u vetëvra një ditë më parë pas daljes nga komisariati i Policisë Shkodër, ka deklaruar se babai i saj është dhunuar nga uniformat blu.
E reja Romina Kallami ka treguar mes dhimbjes e lotëve se gjashtë muaj më parë ka humbur nënën e saj, dhe tashmë edhe të atin. Ajo u shpreh e bindur se babai i saj nuk është vetëvrarë, por është dhunuar nga policia, duke shtuar se i ati i kishte treguar gjithçka.
“Babai më ka thënë që e kanë dhunuar në polici. Kërkojmë drejtësi. Nëse nuk gjendet drejtësi, atëherë do të jetë viktima e tretë. Para gjashtë muajsh kam humbur nënën, tani babanë. Akuzat për vjedhje janë thjesht shpifje. Im at është dhunuar, m’i tregoi të gjitha. Dua drejtësi mbi të gjitha.”
Ardian Kallami u shoqërua të shtunën nga policia, me dyshimin e grabitjes së një banese në Vaun e Dejës, por më pas u lirua, ndërsa dje u thirr sërish duke u marrë disa orë në pyetje.
Pas daljes nga komisariati ai u gjet i vetëvarur, ndërsa familja akuzon policinë për dhunë fizike dhe psikologjike, që e dërguan drejt vetëflijimit.
Nga ekspertiza ka rezultuar se ndaj tij nuk është ushtruar dhunë fizike, ndërsa SHÇBA ka nisur hetimet duke nisur nga hyrje-daljet në komisariat dhe të gjitha veprimet e tjera të grupit hetimor.