Ky sezon veror nuk do të jetë një muaj pushimesh për efektivët e Policisë së Shtetit. Sic mësohet 45 gradat e para drejtuese në polici me në krye Ardi Veliun prej fund korrikut do të përballen me seanca dëgjimore nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit. I pari që pritet të nis seancat dëgjimore për tu njohur me gjetjet e hetimit është kryepolici Ardi Veliu e më pas zv.drejtuesit në Drejtori të Përgjithshme dhe drejtorët e qarqeve.
Vettingu do të kryhet përgjatë kësaj vere edhe për drejtuesit e Policisë Rrugore, drejtuesit e Kufirit si dhe ata të Gardës dhe Reparteve Speciale. Në krye të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit është zgjedhur ekonomistja Ana Kapaj ndërsa 45 gradat e para janë ndarë për nga 5 grupe komisionesh me tre anëtarë. 45 efektivët e parë të cilët i përkasin rangut drejtues përgjatë këtyre javëve janë duke komunikuar me Komisionin e Jashtëm për plotësimin e dokumenteve,
për përgjigje të pyetjeve sqaruese si dhe për të dhënat e tyre të cilat në disa raste kanë rezultuar jo të plota, sqaruan të njëjtat burime. Prej nisjes së këtij procesi nga ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa ligji për vettingun në Policinë e Shtetit u amendua për t’i hapur rrugë që pas 45 gradave të para të vazhdohet me kontrollit për efekt të këtij procesi nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave për pjesën tjetër të trupës policore.
Vetingu në polici ishtë një nismë e Ministrisë së Brendshme që synon pastrimin e Policisë nga punonjës të cilët kanë lidhje me krimin apo që nuk justifikojnë pasurinë e tyre, për të krijuar një trupë policore me integritet dhe të pacënueshme.