Gjyqtarja e Gjykatës së Kurbinit, një nga 14 kandidatët për Këshillin e Lartë Gjyqësor Marçela Shehu drejt konfirmimit në detyrë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është mbledhur sot për kontrollin e pasurisë, aftësive profesionale dhe figurës së gjyqtares së Kurbinit.

KPK ka deklaruar se sipas ILDKPI deklarimi i pasurisë së Shehut është i saktë dhe gjyqtarja e ka justifikuar pasurinë. Por trupa e gjyqtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici deklaroi se vendimi për gjyqtaren do jepet më 4 qershor.

“ILDKPI ka dorëzuar raportin me konstatim se është deklarim i saktë pasurie. Nga verifikimi jonë ka deklaruar shtëpi banimi 100 m katror në Tiranë, makinë ‘Mercedez Benz’ blerë në 2016 për 6 mijë euro, para cash 1 milion e 350 mijë lekë dhe depozitë kursimi për fëmijë.

Për sa i përket figurës DSIK ka sjellë raport ku shprehet se gjyqtarja nuk ka shkelje dhe është e përshtatshme për të vazhduar detyrën”, deklaroi KPK.

Ajo ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës dhe pasi punoi për pak muaj në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare e Gjykatës së Kurbinit-pozicion të cilin e mban edhe sot.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

Të dhënat tregojnë se gjyqtarja Marçela Shehu zotëronte një pasuri familjare prej 1.3 milionë lekësh në vitin 2006. Në fund të vitit 2016, pasuria e saj është dyfishuar, duke kapur vlerën e rreth 2.7 milionë lekëve.

Pasuria familjare e zonjës Shehu ndahet në 200 mijë lekë llogari bankare, 1.5 milionë lekë kursime në cash dhe rreth 1 milion lekë automjete. Gjyqtarja ka gjithashtu në bashkëpronësi një shtëpi private të ndërtuar në vitet 1998-2000, të cilën e ka përfituar si rrjedhojë e martesës dhe e ka deklaruar atë në vitin 2007.

Të ardhurat e gjyqtares Shehu përbëhen vetëm nga paga e saj dhe ajo e bashkëshortit, të cilat kapin në total vlerën e 12.9 milionë lekëve. Përgjatë viteve në karrierë, zonja Shehu ka shënuar një rritje mesatare të pasurisë prej 133 mijë lekësh në vit.

Artikulli paraprak“DITË E HAPUR” NË REPARTIN USHTARAK VAU DEJËS
Artikulli tjetër1 QERSHORI, SAVE THE CHILDREN: SHQIPËRIA E FUNDIT NË RAJON PËR MBROJTJEN E FËMIJËVE