Vettingu i gjyqtarëve, përzgjidhen dosjet në Gjykatën e Tiranës

Komisioni i Vettingut ka zbarkuar në Gjykatën e Tiranës, ku ka përzgjedhur me short elektronik gjashtë gjyqtarët e parë, të cilët do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit të punës së tyre nga ana profesionale. Gjyqtarët e përzgjedhur janë Brunilda Kadi, Brunilda Kashmi, Artan Lazaj, Astrit Faqolli, Bledar Abdullai dhe Alma Brati. Nga gjashtë emrat e përzgjedhur, vetëm Bledar Abdullai është nga Dhoma Penale e Gjykatës së Tiranës, ndërsa pesë të tjerët i përkasin Dhomës Civile. Për këto gjyqtarë, komisionerët e pavarur të Vettingut kanë përzgjedhur edhe 30 çështje, nga pesë për secilin gjyqtarë, të cilat janë gjykuar gjatë viteve të fundit, nga vitit 2013 e në vazhdim. Më herët, këtij procesi i janë nënshtruar gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të lartë, ku nga 7 gjyqtarë për secilën gjykatë dhe nga pesë çështje të gjykuara për secilin gjyqtarë i janë nënshtruar verifikimit. Rezultateve të komisonerëve të pavarur të Vettingut, do t’i bashkëngjiten edhe dokumentacionet e ardhura nga KLD, që ka të bëjnë me masat disiplinore apo ankesat nga qytetarët për gjyqtarët. Informacion do të merret edhe nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, për pasuritë që kanë gjyqtarët e përzgjedhur. Përpunimi i këtyre të dhënave do të vendosë në fund nëse gjyqtari do ta kalojë procesin e Vettingut ose jo. Përzgjedhje të tilla pritet të kryhen në të gjitha gjykatat e vendit si dhe prokuroritë, ndërsa i gjithë procesi do të monitorohet nga ndërkombëtarët e Operacionit të monitorimit ONM.

Artikulli paraprakHETIM PËR ZGJEDHJET, PROKURORIA HAP DOSJEN PËR 3014 PUNËSIME NË FUSHATË
Artikulli tjetërKAPEN 2.4 TONË KANABIS NË ITALI, ARRESTOHEN 3 SHQIPTARË