Komisionerët e pavarur kanë nisur verifikimin e 5 prokurorëve të Prokurorisë së Tiranës, të cilët janë kandidatë për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, KLP.
Verifikimit i janë nënshtruar prokurorët Dritan Rreshka, Adriatik Cama, Shpëtim Kurti, Arben Nela dhe Antoneta Sevdari. Gjatë ditës së enjte në Prokurorinë e Përgjithshme është hedhur shorti për përzgjedhjen e 5 dosjeve për secilin kandidat, që kanë hetuar nga viti 2013 dhe në vazhdim.
Për këtë arsye, gjatë ditës së enjte u anulua edhe seanca gjyqësore në Gjykatën e Tiranës ndaj dy ish-drejtuesve të CEZ-it, çekëve Josef Hejsek dhe Jan Ivan, të cilët akuzohen për mashtrim me pasoja të rënda. Ish-drejtuesit çekë të CEZ-it kërkojnë pushimin e çështjes me pretendimin se marrëveshja e mirëkuptimit e arritur mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë CEZ i perjashton ata nga hetimi.