Prokurorja e Krimeve të Rënda, Doloreza Musabelliu është konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Doloreza Musabelliu, që është edhe kandidate për Prokurorinë e Posaçme u cilësua si e përshtatshme për të vijuar detyrën nga trupa e vlerësimit.
Në seancën dëgjimore të 3 dhjetorit prokurorja që konsiderohet si ‘gruaja e hekurt’ e SPAK-ut për shkak të dosjeve që ka çuar në gjykatë, hetimit për herë të parë të Emiljano Shullazit dhe të asnjë pasurie të paluajtshme, vetëm pagën si prokurore, u njoh me përmbajtjen e një raporti të Drejtorisë për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar ndaj saj.
Në raport shpreheshin dyshime për përfshirje të prokurores Musabelliu në korrupsion pasiv në një çështje dhe dekonspirim të informacioneve sekrete në Prokurorinë për Krime të Rënda. Por, trupa gjykuese e përbërë nga Alma Faskaj, Pamela Qirko, Firdes Shuli tha se nuk mund të dilej në një konkluzion nëse raporti i DSIK ishte apo jo i bazuar në prova dhe fakte, pasi kjo çështje vijon të jetë nën hetim.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi edhe disa mospërputhje në pasurinë e bashkëjetuesit të prokurores Doloreza Musabelliu, pasi vetë prokurorja nuk ka asnjë pasuri të paluajtshme, por vetëm pagën. Problemi më serioz kishte të bënte me mosjustifikimin e një makine tip Volkswagen të blerë në vitin 2009 nga bashkëjetuesi në vlerën 10 mijë euro.
Një pjesë të parave për këtë makinë dhe dy apartamente, bashkëjetuesi i prokurores ia kishte marrë babait të tij, por sipas KPK jo të gjitha shumat mbuloheshin me të ardhura të ligjshme nga babai. Megjithatë sot Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin e saj në detyrë.