Vettingu, Rama: Sot u hapën portat e drejtësisë së re
Kryeministri Edi Rama ka folur jashtë seancës së Kuvendit, pas miratimit të 27 emrave të komisioneve të Vettingut. Rama tha se vota në Kuvend i hapi rrugën drejtësisë së re në Shqipëri, në sitën e së cilës do kalojnë të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët. Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se e vetmja forcë politike garante për zbatimin e ligjit të Vettingut, mbetet PS-ja. “Jam shumë i lehtësuar, pasi sot u kapërcyen pengesat. Jam i bindur që sot është çelur fati i këtij procesi dhe portat e drejtësisë së re. Sigurisht që do të kërkojë kohën e vet, vullnet të madh dhe do të kërkojë garant në këtë proces që është PS. Që nga dita e parë dhe deri sot ka vetëm një forcë që s’i ka bërë bisht reformës dhe kjo është PS-ja. Nga ana tjetër, askush nuk duhet të mendojë se gjithçka tani do jetë fushë me lule, por do të duhet garanti, gardiani, prijësi i këtij procesi, PS-ja”, tha Rama. I pyetur për tensionet e ditëve të fundit të fushatës, Rama tha se gjithçka është brenda normales, pasi sipas tij për herë të parë në Shqipëri zhvillohet një fushatë e qetë elektorale. “Fushata elektorale, të gjithë qytetarët e kanë parë, është më e qeta nga pikëpamja e retorikës, nga mosndotja e mjedisit me banesa, flamuj, foto e karagjozllëqe që e kanë tensionuar në të shkuarën. Palët thumbohen me njëra-tjetrën, polemizojnë, ndoshta e kalojnë edhe atë masën normale, por brenda normalitetit të plotë”, u shpreh Rama, duke thumbuar edhe daljen e presidentit të ardhshëm në fushatë me LSI-në. “S’dua të bëj komente për përfshirjen e presidentit në fushatë, pasi fokus im janë njerëzit, për të arritur që t’i shpjegoj pse na duhet një fitore, jo për pushtet për vete, se ndryshe sot do ishim në hyjë duke pritur 100 mandate dhe Luli do ishte në çadër, ndërsa Jozefina s’do e kishte marrë vesh që s’do ishte në listë”, shtoi kreu i qeverisë. Rama pranoi gjithashtu se thirrja e tij një ditë më parë për punonjësit e policisë ishte gabim. “Unë e pranova që kam gabuar. Qëllimi im s’ishte të turrja policinë, por mënyra si e kërkova kërkoj ndjesë. Njeri jam dhe unë. Kërkova ndjesë dhe kaq”, tha ai.