Kryetari i Gjykatës së Rrethit Kurbin Alfred Gjoni do të dalë sot para Komisionit të Vetingut për t’u njohur me rezultatet e hetimit të trefishtë, për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.
Trupa gjykuese që po shqyrton dosjen e gjyqtarit Alfred Gjonit përbëhet nga Etleda Çiftja, Roland Ilia dhe Firdes Shuli.
Po gjatë kësaj jave, para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, me trupë gjykuese të përbërë nga Pamela Qirko, Firdes Shuli dhe Etleda Çiftja, do të dalë edhe Gentjan Jahjolli, këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë.
Gjithashtu, para Vetingut do të dalë në datën 10 janar Alma Muça, prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme. Dosja e saj po shqyrtohet nga trupa gjykuese e përbërë nga Suela Zhegu, Brunilda Bekteshi dhe Valbona Sanxhaktari.
Po në datën 10 dhjetor, para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit do të dalë edhe Adrian Shega, këshilltar në Gjykatën e Lartë, dosja e të cilit do të shqyrtohet nga Genta Tafa, Lulzim Hamitaj dhe Valbona Sanxhaktari.
Nga ana tjetër, ditën e sotme, Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të shqyrtojë çështjen e gjyqtarit Artan Laze, i cili është shkarkuar në korrik të 2017 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për probleme me pasurinë.
Trupi gjykues për gjykimin e kësaj çështjeje përbëhet nga Sokol Çomo kryesues, Albana Shtylla relatore, dhe anëtarët Ardian Hajdari, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz.
Gjyqtari Laze i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të rrëzojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të rikonfirmohet në detyrë. Laze është në listën e gjyqtarëve të cilëve Ambasada Amerikane në Tiranë u ka refuzuar vizën për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Aktualisht Laze është i pezulluar për shkak të vendimit të shkarkimit nga KPK. Vendimi i Kolegjit të Apelimit do të jetë vendimtar për fatin e gjyqtarit. Kolegji do të vendosë nëse gjyqtari do të konfirmohet në detyrë apo do të përjashtohet për 15 vite nga drejtësia.