Vezët të prekura nga një lëndë toksike, alarmohen ekspertët

Rreth një milion vezë të destinuara për në Gjermani janë kthyer nga kufiri me Holandën këtë javë. Vezët janë kthyer pasi u zbulua se përmbajnë nivele të larta të një insekticidi toksik të ndaluar nga përdorimi në prodhimin e ushqimit për konsum njerëzor, raporton gazeta britanike The Guardian në numrin e sotëm. Miliona vezë janë tërhequr edhe nga dyqanet dhe magazinat në Gjermani, Holandë dhe Belgjikë. Gjithashtu janë mbyllur përkohësisht edhe rreth 180 ferma në Holandë dhe është nisur një hetim penal pasi autoritetet kërkojnë të zbulojnë shkallën e problemit. Nga analizat që u janë bërë vezëve kanë dalë nivele të larta të insekticidit fipronil, një përbërës i zakonshëm në produktet veterinare për të hequr qafe pleshtat dhe morrat, por i cili ndalohet të përdoret për të trajtuar kafshët dhe shpendët e destinuara për konsum njerëzor. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, substanca shumë toksike mund të dëmtojë mëlçinë, gjëndrat tiroide dhe veshkat, nëse preket me sasi të mëdha me kalimin e kohës.

Artikulli paraprakSHPËTOHET NGA MBYTJA NJË 16 VJEÇAR .ROJET E PLAZHIT NUK ISHIN ATY. E SHPETUAN PUSHUESIT
Artikulli tjetërTEMPERATURAT EKSTREME,LIQENET E HEC DREJT THARJES