Kjo është video e shpërthimit në portën e oborrit të gjyqtarit të Shkodrës Tonin Sterkaj. Star Plus ka arritur që të sigurojë videon kur autori i maskuar dhe me rroba të zeza vendos sasinë e tritolit në derën e banesës të gjyqtarit Sterkaj, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit të 28 prillit. Gjyqtari i shkallës së parë në Shkodër Sterkaj tashmë është marrë në ruatje nga Garda e Republikës pas kësaj ngjarje ndërsa po ruhet edhe me një patrullë të policisë vendore të Shkodrës për çështje sigurie.

Nga sa mësohet policia dhe prokuroria janë duke hetuar intensivisht për të gjetur autorin e dyshuar i cili vjen në këmbë dhe pasi vendos lëndën plasëse largohet nga rrugica duke vrapuar. Efektivët kanë shoqëruar 3 persona të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen por deri më tani nuk ka asgjë konkrete mbi autorsinë. Po ashtu policia është duke verifikuar të gjitha rastet e amnistisë penale të cilat kanë kaluar edhe përmes gjykatës dhe gjyqtari Sterkaj ka kaluar në dorë disa prej këtyre dosjeve. Ndërkohë në dëshminë e tij magjistrati Sterkaj ka deklaruar se nuk e ka idenë se kush mund të jenë autorët ndërsa dyshon se ngjarja lidhet me ushtrimin e detyrës së tij.

“Nuk e di se kush mund ta ketë bërë. Unë kam zbatuar ligjin në çdo çështje penale që kam gjykuar. Nuk e di se kujt mund t’ia kem prishur dhe kujt ia kam rregulluar por kam bërë detyrën time. Nuk e kam idenë se kush mund të jetë autori por besoj se lidhet me ndonjë prej dosjeve që kam patur por se cila është nuk di ta them”, ka deklaruar gjyqtari Sterkaj. Ka qenë ora 3 e mëngjesit të 28 prillit kur ndodhi ky shpërthim me tritol. Familja dhe vetë gjyqtari ndodheshin në shtëpi dhe pasi kanë dëgjuar zhurmën kanë dalë. Fillimisht është një komshi që ka njoftuar gjyqtarin për tritolin e vendosur në derën e oborrit të këtij të fundit. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat të shumta efektivësh por ende nuk kanë rënë në gjurmët e autorit. Policia dhe prokuroria vijojnë hetimet për ta zbardhur të plotë këtë ngjarje.

Artikulli paraprakKONKURSI I GJUHËS SHQIPE NË FAZËN E GJYSMËFINALES, 16 SHKOLLA NË PËRBALLJE
Artikulli tjetërTRITOL SHTËPISË SË TONIN STERKAJT, UNIONI I GJYQTARËVE: SULM BURRACAK QË DO TË FRIKËSOJË MAGJISTRATËT DHE CËNOJË SIGURINË