Edhe pse vetëm 15-vjeç, por që tani duket qartë se ka parametrat e një futbollisti të së ardhmes. E kemi fjalën për sulmuesin e Vllaznia U-16, Flavio Fusha, futbollisti i cili në ndeshjen e fundit ndaj Akademisë së Futbollit të Elbasanit shënoi një supergol. Ashtu siç shikohet edhe në videon e mëposhtme, goditja e tij ishte shumë mjeshtërore për nga mënyra e ekzekutimit, e cila shkoi direkt në trekëndëshin e majtë të portës. Realisht, të gjithë ata që e kanë parë duke luajtur, kanë evidentuar menjëherë disa veçori që e bëjnë atë një element të perspektivës. Në fakt, në katër ndeshjet e deritanishme të Vllaznia U-16, por edhe në sezonin e kaluar me U-15, Flavio Fusha është dalluar për lojën cilësore, gjithnjë e më tepër në rritje që ai ka shpalosur me ekipin kuqeblu. Realisht, sulmuesi shkodran konsiderohet si një futbollist i perspektivës për Akademinë Vllaznia, pasi deri më tani të dhënat i ka shumë të mira. Në tre ndeshje të luajtura nga ai këtë sezon, ka shënuar tre gola, duke qenë golashënuesi më i mirë i Vllaznia U-16. Ndërkohë që, edhe sezonin e kaluar me Vllaznia U-15 shfaqi cilësi shumë të mira, duke realizuar 9-gola me ekipin kuqeblu dhe duke lënë “gjurmët” e tij në lojën e këtyre skuadrave me golat që ka shënuar. Megjithatë, Flavio Fushës i duhet të punojë akoma më shumë për të arritur aty ku duhet në mënyrë që të flasim më pas për një garanci për të ardhmen e ekipit të parë të Vllaznisë, por ajo që premton është vazhdimësia e tij me golat që shënon çdo sezon.
Maringlen ZHIVANI