Prej një javë pyjet në zonën malore të Bogës në Malësinë e Madhe janë përfshirë nga flakët. Ndërhyrja nga toka nga zjarrëfikësit dhe ushtria është e pamundur për shkak të terrenit tejet të thyer malor. Dëmi që po shkaktohet në këto pyje shekullore sa i përket mjedisit është i madh. Ndërkohë përveç dëmit mjedisor një shqetësim i madh zjarret janë edhe për bujtinat në Bogë dhe në Qafë Thore, zona që të çon drejt Thethit.

Tymi i zjarreve që nuk ndalen prej një jave po shqetëson turistët e huaj dhe pushuesit vendas që kanë zgjedhur të kalojnë këto ditë të nxehta në Bogë dhe Qafë Thore. Tymi i zjarreve që po shkatërrojnë pyjet në malet e Bogës depërton brenda bujtinave ku qëndrojnë turistët.

Në këtë mënyrë sipas burimeve shumë prej këtyre turistëve për shkak të tymit që depërton në dhomat ku pushojnë janë detyruar që të largohen nga Boga dhe Qafa e Thores. Banorët dhe pronarët e bujtinave bashkë me biznese të tjera që merren me turizmin kërkojnë një ndërhyrje emergjente për shuarjen e këtyre flakëve që vazhdojnë prej një jave sepse dëmi që shkaktohet në mjedis por edhe turizëm është i madh.

Ajo që kërkohet është ndërhyrja me helikopterë nga ajri për të shuar këto zjarre. Edhe pse një gjë e tillë është kërkuar deri më tani nuk ka patur ndërhyrje nga ajri për shuarjen e flakëve. Zona të ndryshme të qarkut të Shkodrës ashtu si shumë pjesë të tjera të Shqipërisë po vuajnë djegien e pyjeve ndërsa shërbimet zjarrëfikëse dhe ushtria e kanë të pamundur për t’i përballuar të gjitha.

Artikulli paraprakMONIKA KRYEMADHI DORËHIQET NGA DREJTIMI I LSI, META MERR DETYRËN E RE DERI NË ZGJEDHJEN E KRYETARIT
Artikulli tjetërSHTYPI I DITËS 26 KORRIK 2022, ÇFARË SHKRUAJNË GAZETAT SOT