Policia italiane shkatërroi një grup banditësh shqiptarë, që grabisnin banesa në zonën e Askolit në Italinë Qëndrore.

Në pranga ranë 4 shqiptarët, Arlin Çera 32-vjeç nga fshati Nezhej i Dibrës, Mateo Gjeta 28-vjeç dhe Admir Vata 25-vjeç, të dy nga Durrësi si dhe 24-vjeçari Rigels Vlashi nga Mamurrasi. Ata u arrestuan natën mes të mërkurës dhe të enjtes në një banesë përgjatë shëtitores buzë detit në zonën e Porto d’Askolit në San Benedeto. Banesa shërbente edhe si baza ku ata planifikonin me detaje grabitjet e banesave.

Ata akuzohen veçanërisht për një seri vjedhjesh përgjatë dy javëve të fundit në disa shtëpi në Monteprandone, një zone e banuar vetëm pak kilometra larg Askolit, por edhe për dhjetëra raste grabitjesh në të kaluarën. Dy prej shqiptarëve të ndaluar Rigels Vlashi dhe Arlin Çera ishin të njohur për policinë lokale pasi ishin ndaluar edhe më parë nga policia për vjedhje. Çera madje po i nënshtrohej procedurave të dëbimit nga Italia.

Policia u sekuestroi atyre edhe 5 automjete të vjedhura, të cilat i përdornin për të mos rënë në gjurmë të policisë gjatë vjedhjes së banesave. Gjatë kontrollit në banesën e tyre, policia u gjeti disa orë të shtrenjta, bizhuteri, një sasi të konsiderueshme parash e produkte të tjera markash të njohura. Po ashtu iu sekuestruan edhe telefona celularë e mjete të tjera, të cilat ata i përdornin për komunikim për tu koordinuar me njëri-tjetrin gjatë grabitjeve.

Artikulli paraprakARRESTOHET I RIU, AKUZOHET PËR SHITJE ARMËSH
Artikulli tjetërRAMA: INVESTIMET NË LUNGOMARE DO TË VAZHDOJNË