Kantautori shqiptar Ermal Meta ka performuar mbrëmë në natën e parë të Festivalit të Muzikës Italiane ‘Sanremo 2017’, me këngën e tij “Vietato di morire” “E ndaluar të vdesësh”.

Dhe pse i pafavorizuar, duke kënduar i fundit e rreth mesnatës, në një orar me publik të reduktuar, kantautori shqitpar ka mundur të renditet në vendin e tretë në klasifikim provizor të këtij Festivali. Kanë votuar për këtë renditje publiku me televotim si dhe juria e gazetarëve me një të drejtë të barabartë 50% +50%. Pas tij në vendin e 4 renditet këngëtari tashmë me nënshtetësi shqiptare Albano. Janë në rrezik eleminimi nga gara e këngës fituese ‘Sanremo 2017’, këngëtarët e njohur Ron, Giusy Ferrero e Clementino. Performanca e kanatautorit shqiptar Ermal Meta është pritur nga kritika italiane, sidomos për tekstin e harmoninë muzikore të këngës. E përditshmja italiane “Corriere della sera” i dedikon sot artikullin me titull “Ermal Meta: Në Sanremo me rrokun tim”, ku kantautori shqiptar rrëfen se “që në moshën 13 vjeçare dëshira e tij ishte të bëhej rockstar.” “Në fëmijëri miti im ishte Mozarti, shprehet Ermal, për shkak se nëna ime ishte violiniste e babai im muzikant. Që 3 vjeç ndiqja me ta koncerte të muzikës klasike.” Përsa i përket vendlindjes së tij Shqipërisë Ermal thotë “se fakti se është rritur në Shqipëri e ka pasuruar.” “Kam diçka më shumë se të tjerët e ndjehem si një urë mes dy botëve që duhet të komunikojnë më shumë.” Në natën e parë të Festivalit të Sanremos 2017 të ftuarit special qenë këngëtari latin Ricky Martin, i cili me një performancë fantastike ngriti në këmbë të gjithë publikun e teatrit Ariston, si dhe grupi britanik “Clean Bandits”. Sot në natën e 2 të Sanremos do të përformojnë 11 këngëtarë e fundit të kategorisë kampioni.

Artikulli paraprak“NIKA BEAUTY EXELLENCE” NJË EMËR I NJOHUR NDËRKOMBËTAR
Artikulli tjetërVLLAZNIA, TIFOZËT APEL KLUBIT: HAPNI DYERT