E diela në mbrëmje ishte vigjilja e Krishtlindjeve, një festë me orgjinë romake që festohet çdo vit në natën mes datës 24 dhe 25 dhjetor dhe përgjatë tërë datës 25. Simbolika u rimor nga të krishterët për të përkujtuar lindjen e Jezu Krishtit dhe pas Pashkëve, ringjalljes, është festa më e rëndësishme në kalendarin liturgjik të krishterë.
Narrativa tradicionale e Krishtlindjeve, që përshkruhet në Testamentin e Ri, thotë se profecia parashikoi lindjen e Jezusit në një stallë në Betlehem, si biri i Jozefit dhe Marias. Në fakt dita dhe muaji i lindjes së Krishtit nuk dihen, por rreth shekullit të katërt kisha perëndimore zgjodhi datën 25 dhjetor, si një simbolikë për të përkujtuar ardhjen e Zotit në tokë në formën e njeriut, për të shlyer mëkatet e njerëzve.
Gjithsesi sot festa e Krishtlindjeve është zhveshur shumë nga simbolika thjesht fetare dhe në shumë vende, përfshirë Shqipërinë që doli nga një periudhë e gjatë ateizmi shtetëror, Krishtlindja festohet nga të tëra dhe është ditë pushimi zyrtare, ku familjet bashkë mblidhen përreth një dreke festive, për të shkëmbyer dhurata.