Kapanoni me bazë ushqimore për bagëtitë i një efektivi zjarrëfikës është djegur plotësisht. Ndodh edhe kështu. Edhe pse shtetasi Anton Gaci punon si zjarrëfikës, kapanoni në pronësi të babait të tij Tush Gacit u përfshi nga flakët pasditen e djeshme. Shefi i ndërhyrjes së
zjarrëfikësve në Shkodër Ridvan Bushati thotë se zjarri është i qëllimshëm ndërsa nuk përjashtohet mundësia se dikush ka dashur të vërë në provë zjarrëfikësin Anton Gaci se çfarë mund të bëjë për të shpëtuar nga djegia pronën e tij.
Bushati shprehet se në këtë ndërhyrje për shuarjen e flakëve tek ky kapanon pati momente të vështira por efektivët zjarrëfikës sipas tij kanë bërë maksimumin.
Mjetet dhe efektivët e repartit zjarrëfikës të Shkodrës kanë qëndruar për disa orë në fshatin Trush i Poshtëm për të mbajtur nën kontroll flakët derisa zjarri është neutralizuar ndërsa dëmi i shkaktuar në bazë ushqimore për familjen Gaci është i konsiderueshëm.