Kryetari i Bashkisë ka inspektuar sot kantierin e punimeve në zonën e Zdrales, e cila po përjeton një transformim të dukshëm nga dita në ditë. Në një pjesë të kantierit tashmë është hedhur shtresa e betonit, ndërsa në vijim do të nisë edhe shtrimi i pllakave të gurit. Gjatë inspektimit, kreu i bashkisë theksoi rëndësinë e cilësisë maksimale në realizimin e punimeve, duke kërkuar standarde të larta që të sigurojnë lehtësi dhe siguri për qarkullimin e banorëve të zonës.
Projekti i Zdrales, një nga investimet më të rëndësishme të këtij viti, parashikon ndërhyrjen nga ‘Xhamia e Parrucës’ dhe vazhdon deri në qendër të sheshit të Zdrales pranë peshkut. Ky investim parashikon transformimin e plotë të kësaj zone, me ndërhyrje në rrjetin nëntokësore, në rrugë, pjesën e fasadave dhe ndërhyrje në ruajtjen e banesave të vjetra të cilat janë të vendosura në këtë pjesë të qytetit.