Sistemi i Arsimit në Kosovë është në kolaps. Prej dy ditësh arsimtarët kanë bojkotuar mësimin. Ata kërkojnë rritjet e pagës me 100 euro deri në miratimin e Ligjit të Pagave. Qeveria ka ofruar 50 euro shtesë në muaj për pjesën e mbetur të këtij viti, në kuadër të një pakoje për përballjen me inflacionin. Takimet ndërmjet palëve deri tani nuk kanë prodhuar rezultat në përafrimin e qëndrimeve që do të hapte rrugë për t’i dhënë fund grevës e cila ka lënë jashtë procesit mësimor mbi 320 mijë nxënës. Ndërkaq nxënësit e mësuesit kanë shfaqur shqetësimit e tyre pasi fëmijët kanë mbetur jashtë ambienteve të shkollave.
“Siç po shihet greva tani veç ka marrë kahje politike dhe ka humbur karakteri i grevës, qëllimin dhe të gjitha. Kështu që kemi ardh edhe ne si prind në një situatë që tani më duhet të reflektojmë, ndoshta pak me vonesë po edhe ne nuk kemi besuar se do të merr kaq shumë kohë”, tha Besart Macula prind i një vajze në shkollën “Naim Frashëri” në Prishtinë.
“Ka qenë një pushim shumë i gjatë për fëmijët, është lidhur me pushimin veror dhe tash kjo po ndikon shumë negativisht por edhe ende nuk kanë përgjigje kur kanë me dal në banka shkollore. Psiqikisht po ndikon te fëmijët negativisht”, tha Krenare Osmani Gjukaj, nënë e dy fëmijëve në shkollën “Naim Frashëri” në Prishtinë.
Vlora Vokshi nga Këshilli i Prindërve të shkollës bëri thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje ndërmjet qeverisë dhe sindikatave. Më shumë se 98 për qind e sistemit arsimor është në grevë. Partitë opozitare mbështesin kërkesat e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, ndërsa po kërkojnë zgjidhje nga qeveria për t’i dhënë fund bllokadës në sistemin arsimor. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se plotësimi i kërkesës prej 100 euro në muaj do të ishte gabim meqë do të nxiste kërkesa të ngjashme të grupeve të tjera, ndërsa ka nënvizuar se greva është politizuar dhe po përdoret kundër qeverisë së tij.