Prej një jave vijon operacioni për fikjen e zjarrit në fshatin Bogë, të njësisë administrative Shkrel. Vatrat vijojnë të jenë aktive, të ndihmuara nga era dhe temperaturat e larta duke bërë që nën pushtetin e flakëve të jenë dhjetëra hektarë sipërfaqe pyje në këtë zonë të mbrojtur. Për lokalizimin e zjarrit kanë ndëhyrë 30 forca të repartit ustarak Vau Dejës, 7 efektivë zjarrëfikës, 10 forca nga Drejtoria Pyjore dhe 6 forca nga Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër.
Ndërhyrja nga toka për zjarrëfikësit dhe ushtrinë është e vështirë për shkak të terrenit të thyer malor. Si pasojë, po shkaktohet një dëm mjedisor I jashtëzakonshëm në pyjet shekullore të Bogës. Pavarësisht rrezikut që paraqitet për zgjerimin e këtyre vatrave, ende nuk është mundësuar ndërhyrja për shuarjen e flakëve nga ajri. Ndërkohë, pasojat e zjarrit të pak ditëve më parë në njësinë administrative Temal janë të shumta.
Dhjetëra hektarë pisha në fshatin Brushtull janë shkrumbuar nga flakët, ndërkohë që temperaturat e larta janë kërcënim për krijimin e vatrave të tjera. Gjatë këtyre ditëve efektivët e repartit zjarrëfikës në Shkoëdr kanë qenë 24 orë në gatishmëri për të neutralizuar vatrat e zjarrit në të gjithë territorin e bashkisë.