Temperaturat e ulëta ekstreme që kanë kapluar javën e fundit Maqedoninë madje duke u ulur në 20 gradë nën zero, kanë prekur veçanërisht personat e pastrehë.
Mamut Bekirov prej vitesh jeton në rrugë. Ai thotë se nga lëmosha arrin të sigurojë ushqim të mjaftueshëm për të mbijetuar,por për të siç na rrëfenproblem paraqet i ftohti që si bëhet ballë. Bekirov për Radion Evropa e Lirë thotë se nga ngrirja ka shpëtuar falë strehimit në qendrën e të pastrehëve të Kryqit të Kuq në lagjen Momin Potok të Shkupit. “Për ushqim ne disi mund të gjendemi nga ajo që siguroj si lypës apo duke gërmuar në shportat e mbeturinave, por problemi më I madh për mua taniështë si të mbetesh gjallë në minus 20 gradë celcius brenda natës në hapsira të hapur”, thotë Mamut Bekirov, i përkatësisë rome, i cili për çdo ditë kërkon lëmoshë në hapësirat e Qendrës Tregtare në Shkup. Përderisa Enver Sulejmani, thotë se në Qendrën e Kryqit të Kuq është strehuar vetëm për disa ditë sa zgjatin temperaturat e ulëta. Ai na rrëfen se ka shtëpi por kushtet i ka shumë të vështira. Pasi s’ka arritur të shlyej borxhin e faturave elektrike ia kanë ndërpre dhe rrymën. “Kam ardhur këtu sepse s`kam kushte në shtëpi me një shporet tw vogwl me gaz nuk ngrohet shtëpia. Me ndihma sociale prej vetëm 2000 denarë (rreth 33 euro) nuk mund të sigurosh as gjërat elementare e jo më të shlyesh borxhin e faturave”. “Unë s’kam as pension edhe pse nga mosha 12 vjeçare jam bujk dhe kam paguar tatimin e tokës, thonë se s’kam pasë pronësi të rregulluar, po toka është e trashëguar nga të parët e mi. Ne kemi punuar për gjatë gjith atyre viteve dhe tani nuk na i jep atë që na takon kështuqë jam i detyruar në këtë moshë të dal në rrugë”, thotë Enver Sulejmani. Bllagojçe Boshkov, e gjejmë në qendrën e kryqit të Kuq. Thotë se ndjehet i indinjuar se përderisa këto ditë të ftohta dimri për disa netë ka vendosur të kalojë natën këtu dikush ia ka djegur tendën ku ka qëndruar brenda vitit. “Tani në këto ditë ftohta fatmirësisht jam strehuar këtu në qendrën e Kryqit të Kuq sa për të kaluar këto dit të ftohta. Ndryshe unë jetoj në një tendë që ma kanë dhuruar të cilën ekam vendosur në periferi të qytetit. Si jetoj? Ashtu siç jetojnë të gjithë lypsarët”. “Me ato pak para që siguroj gjatë ditës blej ushqim dhe kthehem në tendën time për të kaluar natën, në të nxehtë e në të ftohtë ajo është streha ime e vetme për dhjetë vite të plota. Ky është fati im pasi fabrika ku punoja shkoj në falimentim dhe unë mora teposhtëzën”, thotë Bllagojce Boshkov. Dragana Llazarevskam, koordinatore e qendrës së Kryqit të Kuq në “Momin Potok” për të pastrehët për Radion Evropa e Lirë bën të ditur se natën në këtë strehimore e kalojnë prej 17 deri 22 persona, të gjithë nga Shkupi. Lazarevskana thotë se gjatë këtyre ditëve përderisa vendi përballet me temperatura shumë të ulëta organet e policisë, pastaj qendrapër menaxhim me kriza por më së shumti janë vetë qytetarët ata që i kanë telefonuar qendrës së Kryqit të Kuq për të hapur dyert për të pastrehët që i takojnë në hapësira të hapura. “Të pastrehët kur vijnë këtu janë në një gjendje shumë të rëndë. Natën mes të dielës dhe hënës ekipet tona pasi u lajmëruan nga qytetarë të ndërgjegjshëm arritën të shpëtojnë dy persona të cilët ishin në gjendje të rëndë hipotermie pothuajse ata ishin të ngrirë, por as trajtimit mjekësorë gjendja e tyre është stabilizuar”, thotë Dragana lazarevska. Ndryshe, tre persona kanë humbur jetën si pasojë e hipotermisë (ngrirjes) nga temperaturat ekstreme të ulëta të cilat kanë mbretëruar javën e fundit në Maqedoni duke shënuar madje edhe minus 20 gradë nën zero.