Viktimat e trafikut, shtohet identifikimi, në dy vite 18 raste
Identifikimi, intervistimi dhe mbrojtja e viktimave të trafikimit është kthyer në një proces më cilësor, jo vetëm sa i takon trajtimit, por edhe dënimit të personave përgjegjës. Sipas zyrës kombëtare të antitrafikimit, kjo i dedikohet ngritjes së strukturave të posaçme, shtimit të dhomave të intervistimit dhe përmirësimit të infrastrukturës. “Në 2013 ishte 1 i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, vetëm në krye të 3 viteve kemi 18 të dënuar. Në 2013 kishim 53 raste të evidentuar nga Policia e Shtetit, ndërsa në 2014 kishim 57 raste, ndërkohë që në 2015 janë 80 raste”, shprehet Elona Gjebrea, zëvendëseministre e Brendshme. Por, për ndërkombëtarët, problem mbetet trajtimi i viktimave të trafikut në proceset penale ku shpesh herë nuk identifikohen si të tillë, por devijohet me përkufizime si shrytëzim prostitucioni etj. “Policia dhe prokurorët duhet të punojnë ngushtësisht që viktimat e trafikimit të identifikohen. Sot, krimet e trafikimit keqidentifikohen ende si diçka tjetër, përshembull si shfrytëzim për prostitucion”, shprehet David Muniz, zëvendësambasador i SHBA-ve në Shqipëri. Përmes një projekti 2-vjeçar të zbatuar në Tiranë, Shkodër, Lezhë, Vlorë, Durrës dhe Kukës, për mbrojtjen e viktimave të trafikut janë trajnuar për herë të parë 748 persona në lidhje me temën e antitrafikimit dhe 405 përfaqësues të grupeve multidisiplinore.