Sinjalizimi i bërë nga përgjegjës të sektorit të Ujësjellës Kanalizime Shkodër në fshatin Grudë e Re të Njësisë Administrative Rrethina, i ka dhënë zgjidhje një problemi të evidentuar në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm në këtë zonë. Pas verifikimeve të nevojshme, u bë e mundur të identifikohet defekti dhe të riparohet brenda një kohe të shkurtër.
Inxhinieri i UKSH- së Lazër Pemaj thotë se u ngrit një grup teknik me specialistët më të mirë për t’i dhënë zgjidhje problemit të shfaqur në rrjetin e ujësjellësit në Grudë të Re ku uji shkonte i ndotur për shkak të përzierjes së ujërave të zeza me ujërat e bardha.
Kryeplaku i fshatit Grudë e Re Ndokë Rrgava që evidentoi këtë problem thotë se ndërhyrja nga ujësjellësi ishte tejet e nevojshme.
Tashmë 150 banorët e gjashtë pallateve që kishin problemin e ujit të ndotur në Grudë të Re furnizohen normalisht me ujë të pijshëm pas ndërhyrjes së ndërmarrjes të ujësjellës kanalizime Shkodër.