Ndërsa kurba e qarkullimit të virusit të gripit është në rritje, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu vjen me një apel për qytetarët. Ministrja siguroi se shërbimi do të jetë 24 orë në tre qendra shëndetësore në Tiranë, ndërsa këshilloi prindërit që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në këto qendra pa patur nevojë që të shkohet në spital për urgjencat pediatrike.

Manastirliu inspektoi qendrën shëndetësore nr. 10 në Tiranë, e cila është një prej qendrave që është kthyer në qendër 24 orëshe për të përballuar fluksin e pacientëve në sezonin e dimrit.

“Virusi i gripit, sipas sistemit të survejancës ka një intensitet mesatar, me tendencë rritje, ndaj ne i jemi përgjigjur kësaj situate me garantimin e shërbimit shëndetësor 24 orësh në 7 ditë të javës në qendrat shëndetësore të Tiranës, ku edhe fluksi është më i lartë.

Janë 3 qendra shëndetësore, ajo nr. 10 që do të mbulojë zonën e ish-Oxhakut, qendra shëndetësore nr. 8 në zonën e ish-bllokut, qendra nr. 7 në Laprakë, të cilat ofrojnë shërbim shëndetësor për fëmijët në moshën pediatrike edhe gjatë natës”, u shpreh Ministrja Manastirliu gjatë inspektimit në qendrën nr. 10 në Tiranë.

Sipas sistemit ALERT të survejancës, në Shqipëri, sikundër në të gjithë vendet europiane po qarkullon virusi i tipit A, nëntipi A/H1 dhe qarkullimi i virusit është me intensitet mesatar, me tendencë rritje, një situatë e zakonshme dhe e pritshme për stinën. Janë rreth 11 mijë raste në javë me infeksione respiratorë, që sipas MSH-së kjo situata është normale.

Artikulli paraprakVAU I DEJËS, I SHKON PËR VIZITË NË SHTËPI, 47-VJEÇARI QËLLON MIKUN ME PUSHKË
Artikulli tjetër“ADMINISTRATA NË KËMBË PËR QYTETARIN”, RAMA: PA RYSHFETE, ZERO LEKË PËR DËSHMITË E PENALITETIT