Është organizuar në Shkodër aktiviteti i përvitshëm “Vit të Mbarë o Shkodër” i kthyer tashmë në një traditë mes komuniteteve fetare në Shkodër dhe drejtuesve vendor. Ky aktivitet që zhvillohet në kuadër të ditës botërore të paqes vjen nën moton e mesazhit të Papa Françeskut “dialogu mes brezave”. Arqipeshkëvi i Shkodrës Angelo Massafra përmendi dëshirën për të emigruar të të rinjve si dhe kërkoi angazhimin e institucioneve për problemet sociale.
Përfaqësuesi i Myftinisë Shkodër Arben Halluni tha se paqja nuk vjen me armatim siç mendojnë disa shtete por përmes dialogut.
Kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi tha se sfidat e sotme janë edukimi dhe arsimi i brezave për të arritur zhvillimin social e ekonomik përmes dialogut.
Përveç mesazheve të klerikëve dhe drejtuesve vendor gjatë aktivitetit “Vit të Mbarë o Shkodër” i organizuar nga shoqata “Drejtësi dhe Paqe” kishte edhe një koncert artistiko-kulturor me artistët e qytetit.