Dita e dytë e vitit 2018 dhe qytetarët shkodranë siç duket i janë kthyer normalitet.
Rrugët e qytetit janë mbushur sërish, pas një pushimi 24 orësh të datës 1 janar. Qytetarët kanë mbushur rrugët e qytetit, për të vijuar një vit tjetër, mes problemeve dhe punës së gjithsecilit. Së bashku me punët që i janë rikthyer thuajse të gjithë, rikthehen edhe dyqanet, qendrat tregtare dhe bizneset, duke vijuar normalisht aktivitetin. Trafiku nëpër qytet ka vijuar të jetë normal, larg zhurmës dhe kaosit që shoqëruan në ditët e fundit të 2017-ës të gjithë njerëzit, sidomos në qendër të qytetit.
Atmosfera e festave vazhdon të ndjehet, njerëzit janë më të dashur, urojnë njëri-tjetrin për suksese e mbarësi për këtë vit të ri. Dikush për të kapur orarin e punës e dikush tjetër për të vazhduar urimet e festave, një traditë kjo si çdo fillim viti. Një tjetër vit i ri ka ardhur, një vit që shkodranët dhe të gjithë shqiptarët kërkojnë më tepër të mira se në vitin që kaloi. Njerëzit kërkojnë dhe shpresojnë më shumë që këtë fillim viti dhe në vazhdim, problemet e tyre të jenë sa më të pakta, me mbështetje më të madhe nga institucionet shtetërore. Ka filluar një tjetër vit i ri, i cili pritet të sjell sërish të njëjtin cikël, megjithatë gjithmonë me shpresën për më mirë.