Komisionin Europian refuzoi kërkesën e qeverisë holandeze për të rivendosur regjimin e vizave me Shqipërinë.

Një zëdhënës i Komisionit, tha se Shqipëria vijon të plotësojë kushtet për përfitimin e liberalizimit të vizave.

“Pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së njoftimit të marrë nga Holanda dhe bazuar në informacionin në dispozicion dhe të dhënat përkatëse, Komisioni vlerëson se në situatën e tanishme nuk janë rrethanat për të aktivizuar mekanizmin e pezullimit të vizave,”-tha ai.

Ndërkohë vendimi eshte konfirmuar edhe nga ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca.
“Pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së njoftimit të marrë nga Holanda dhe bazuar në informatat e disponueshme dhe të dhënat përkatëse, Komisioni Evropian konsideron se në situatën aktuale rrethanat për të nxitur mekanizmin anulimi të vizave nuk plotësohen,”-shkroi Soreca, në një njoftim në TËitter.

Tani është koha që Shqipëria të vazhdojë përpara me energji në rrugën e saj drejt integrimit në BE, në pikëpamje të vendimit të Këshillit të BE në tetor,”-shtoi ambasadori i BE.

Edhe kryeministri Rama ka reaguar për vendimin e KE për refuzimin e kërkesës së Holandës. Ai tha se vizat nuk u rikthyen sepse Shqipëria s’ka shkelur asnjë kriter.
“Ja dhe vizat s’u rikthyen siç predikuan e trumpetuan lajmësit e qametit që s’ndodhi! Komisioni Europian e refuzoi kërkesën e qeverisë holandeze dhe e vërteta doli fiks siç ishte kur e thamë e shumëkush s’e besoi: Vizat nuk rikthehen sepse Shqipëria s’ka shkelur asnjë kriter,”-shkruan Rama.

Holanda ia dorëzoi zyrtarisht Komisionit Europian kërkesën më 31 maj, pasi më herët parlamenti i këtij vendi kishte miratuar një rezolutë që bënte thirrje për pezullimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen.

Kërkesa e Holandës u bë me qëllim për të penguar lëvizjen e lirë të personave të dyshuar për veprimtari kriminale dhe në trafikun e drogës. Më herët, Komisioni Europian, gjatë prezantimit të progres raportit për Shqipërinë vlerësoi se vendi vijon t’i plotësojë kushtet për të përfituar regjimin e qarkullimit pa viza në zonën Shengen.

Nëse Komisioni do të pranonte kërkesën e Holandës për aktivizimin e mekanizmit, liberalizimi i vizave për Shqipërinë do të pezullohej për një periudhë nëntë mujore.

Artikulli paraprakSHKODËR, PALLATET E VJETRA NEVOJË PËR REHABILITIM
Artikulli tjetërMETA SULME RAMËS DHE AMBASADORIT TË BE