Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj vizituan familjen e Gëzim Sulejmanit, një prej përfituesve të programit të banesave sociale të shpërndara nga Bashkia e Tiranës në Shkozë.

Gjatë bashkëbisedimit, Kryeministri Edi Rama deklaroi se shpërndarja e banesave sociale për familjet në nevojë do të duhej të ishte kryer vite më parë. Rama sqaroi se ndonëse projekti për banesat sociale nisi gjatë kohës që ai drejtonte Bashkinë e Tiranës, ai u bllokua nga Lulzim Basha dhe u ‘çlirua’ nga Veliaj. Ndërsa Kryebashkiaku Erion Veliaj shpjegoi disa nga programet që ofron Bashkia e Tiranës për familjet në nevojë në mënyrë që të përfitojnë strehim.

“Këtu kanë qenë 385 banesa që ndërtoi bashkia kur e drejtonit ju, ndërkohë pas kompleksit këtu kanë qenë të gjithë barakat e famshme dhe e gjithë ajo geto e komunitetit rom këtu mbrapa. Momentalisht ata i kemi strehuar tek katet e para që janë vetëm dyqanet, po ndërtohen të reja 60 njësi banimi atje dhe pastaj kur të lirohet ajo hapësirë, në total do të jenë 385 këtu dhe 60. Ato janë shtëpi familjare të ulëta, tek pjesa mbrapa, kështu që edhe katet e para do të sistemohen”, tha Veliaj. Kreu i Bashkisë sqaroi se paketa e banesave sociale parashikon që të ketë banesa sociale për ata që kanë mundësi të paguajnë një qira modeste. “Ne kemi qendra emergjente për ata që s’paguajnë dot asgjë, ajo që u bë në Tufinë. Ndërkohë ne sot, do lançojmë edhe projektin e kredive të buta, që do të bëjmë në mënyrë të pavarur si bashki, pa qeverinë. Kemi bërë një garë me bankat, ne do të vëmë 1 milionë dollarë që të ulen kreditë, ndërkohë që me këtë mund të japim deri në mbi 1 mijë apartamente të tjera.

Pra, sipas të ardhurave ne kemi paketë o zero, o me pagesë modeste, o kredinë e butë, o bonos qiraje”, tha Veliaj. Gjatë bisedës që patën me familjarët të cilët u shprehën të kënaqur mbi këtë mundësi strehimi Veliaj deklaroi se brenda vitit do të jepen edhe rreth 1000 apartamente sociale. Gruaja e cila më parë së bashku me familjen gjashtë anëtarëshe jetonte në një dhomë të vetme është shprehur se tashmë kanë një shtëpi shumë të madhe. “Tani kemi 3 dhoma dhe një kuzhinë, ne më parë flinim 6 veta në një dhomë. Tani secili ka dhomën e tij”, është shprehur ajo.

Artikulli paraprak“DO VRITET NË KUVEND”, KËRCËNOHET ME VDEKJE TALAT XHAFERI
Artikulli tjetërDEMARKACIONI, DËSHTON MBLEDHJA E QEVERISË SË KOSOVËS