Të ardhurat nga turizmi në ekonominë shqiptare pësuan rënie në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, sipas raportit statistikor më të fundit të Bankës së Shqipërisë. Të ardhurat hyrëse nga udhëtimet kishin vlerën e 389 milionë eurove, rreth tetë milionë euro më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo është hera e parë prej vitit 2013 që të ardhurat nga turizmi në tremujorin e fundit të vitit pësojnë rënie. Ndërkohë, në raport me tremujorin e tretë, që përbën edhe pikun e sezonit turistik, të ardhurat ranë me rreth 300 milionë euro.
Megjithatë, për të gjithë vitit 2018 bilanci i të ardhurave nga turizmi ishte sërish pozitiv. Turistët e huaj sollën 1.86 miliardë euro, afërsisht 9% më shumë krahasuar me vitin 2017.
Vitin e kaluar Shqipërinë e vizituan afro gjashtë milionë shtetas të huaj. Ky është numri më i lartë i vizitorëve të huaj i regjistruar ndonjëherë në vendin tonë. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se numri i vizitorëve të huaj u rrit me afro 16%.
Ndërsa të ardhurat nga turizmi frenuan, shpenzimet e shqiptarëve për udhëtime jashtë vazhduan të rriten edhe në tremujorin e katërt 2018. Ato arritën vlerën e 317 milionë eurove, në rritje vjetore me 10%.
Për të gjithë vitin 2018, shqiptarët shpenzuan 1.43 miliardë euro në udhëtime jashtë, 13% më shumë krahasuar me vitin 2017. Edhe në numër, udhëtimet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit vitin e kaluar shënuan një shifër rekord, me 5.4 milionë dalje jashtë vendit.
Turizmi
Më pak të huaj kanë hyrë ndërkohë në Shqipëri në dy muajt e parë të këtij viti kurse krejt e kundërta ka ndodhur me shqiptarët që kanë preferuar të dalin më shumë jashtë ne raport me të njejtën periudhë të një viti më parë.
Të dhënat zyrtare për lëvizjen e shtetasve deri në shkurt të publikuara nga INSTAT tregojnë se hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar në muajin shkurt 2019 janë 530.690. Krahasuar me shkurtin 2018, ky tregues rezulton me rritje 7.5%.
Në shkurt, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 201.597; krahasuar me shkurtin 2018, ky numër është rritur me 5.8%. Por numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në vendin tonë në dymujorin e parë 2019 rezulton 411.117, duke u ulur me 2.8%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Në shkurt 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Anglia ka patur rritjen më të madhe me 27.9%, ndërsa uljen më të madhe e kanë patur shtetasit nga Kosova me 12.5%.
Në dymujorin e parë 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Anglia ka patur rritjen më të madhe me 17.6% ndërsa uljen më të madhe e kanë patur shtetasit nga Kosova me 16%, thuhet në raportin e INSTAT.
Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit shkurt 2019 ishin 351.144. Krahasuar me shkurtin 2018, ky numër është rritur 17.2%. Kurse numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë në dymujorin e parë 2019 është 804.975, duke u rritur 7.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, vlerëson INSTAT.
Remitancat
Sa u përket paravë që emigrantët sjellin në shtëpi, ato kanë shënuar një rritje të ndjeshme përgjatë viteve të fundit. Sipas statistikave të publikuara nga banka e Shqipërisë, remitancat arritën në 670 milionë euro në vitin 2018, duke u rritur me 5.3% në krahasim me vitin e mëparshëm.
Ky është niveli më i lartë që nga viti 2012, teksa një vit më pas, më 2013, prurjet e emigrantëve arritën në nivelin më të ulët që pas viteve ’90, duke zbritur në 545 milionë euro. Por, pas vitit 2013, prurjet e emigrantëve filluan të rriten sërish, për të arritur në 2018-n, ku rritja në vlerë absolute ishte rreth 34 milionë euro, më e larta e gjashtë viteve të fundit.