Një surprizë e bukur i pret të gjithë udhëtarët në aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit. Tashmë që ‘K’cimi i Tropojës’ është zyrtarisht në UNESCO, në Rinas janë vendosur disa ekrane led ku shfaqet pjesë nga ky kërcimi që tashmë është pasuri e gjithë botës. Video është ndarë nga kryeministri Edi Rama në Facebook, ndërsa shkruan se këto janë pamjet e mirëseardhjes në tokën shqiptare.
“Mirëmëngjesi dhe me këto pamje të mirëseardhjes në tokën shqiptare që t’pret e t’përcjell me K’cimin e Tropojës, një pasuri që i përket gjithë botës tashmë, ju uroj një të diel të paqtë”, shkruan Rama.
”K’cimi i Tropojës” tani është pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit. “K’cimi i Tropojës”, i njohur gjithashtu si “K’cim Veni”, është një vallëzim festiv që ka ruajtur vitalitetin e tij ndër shekuj.
“Kcimi i Tropojës” ka lindur në luginën e Tropojës, në “kamt dhe shpatullat” e Bjeshkëve. Përfshirja e K’cimit të Tropojës në listën e UNESCO-s ka nisur përmes nismës së Shoqatës “Kërcimi i Tropojës” në bashkëpunim me Bashkinë Tropojë dhe Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si dhe mbështetjen e fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
Regjistrimi i këtij elementi në Listën Përfaqësuese të UNESCO-s ndihmon në promovimin ndërkombëtar të trashëgimisë kulturore shqiptare.