Njësia operacionale Task Forcë e OSHEE zhvilloi disa kontrolle blic në dy ditët e fundit, bazuar mbi informacione të marra në rrugë operative mbi abonentë që vidhnin energjinë elektrike. Kontrollet janë ushtruar në zonat Laprakë, rruga “Myslym Keta”, Shkozë pranë shkollës “Androkli Kostallari”, në Kombinat dhe Kamëz, nga ku janë proceduar penalisht me akuzën e vjedhjes së energjisë 9 abonentë, ku njëri është shpallur në kërkim, ndërsa 4 të tjerë janë shoqëruar në komisariat për moskallëzim krimi.
Në një njoftim për mediat, Operatori i Shpërndarjes sqaron se në zonën e Laprakës u shoqëruan në polici 4 persona, tre familjarë dhe një subjekt privat (servis makinash), pasi konsumonin energji elektrike pa patur kontratë me OSHEE. Ata ishin qiraxhinj dhe nuk pranuan të bashkëpunonin me organet e hetimit për të treguar pronarin e objektit që vidhte energji elektrike.