Reagimet mbi zbulimin e të paktën 120 mijë eurove në shtëpinë e një zyrtareje të lartë, që dolën në ‘dritë’ ‘falë’ një vjedhjeve nga ana e pastrueses, për kryeministrin Edi Rama janë të çuditshme, pasi sipas tij, dalja në pah e gjërave të tilla të ulëta ka qenë pikërisht qëllimi kur u bë reforma në drejtësi. Në postimin e tij, kreu i qeverisë bën një krahasim ku thotë se në ndryshim nga qeveria paraardhëse, kur njerëzit e veshur me kostum zyrtar mbroheshin, në qeverinë e tij asnjë prej tyre nuk ka mburojë politike. Ai shton se këtyre rasteve duhet t’u shkohet deri në fund.
“Nuk e di kur do ta kuptojnë disa që Reforma në Drejtësi dhe forcimi i institucioneve ligjzbatuese bëhen pikërisht për të pastruar llumin! Prandaj kur del llumi falë punës së këtyre institucioneve, s’duhet harruar se këto janë provat e vullnetit tonë kundër korrupsionit! E thënë ndryshe, në një kohë tjetër policia apo drejtësia nuk ia nxirrnin kurrë lakrat në shesh njerëzve të veshur me kostum zyrtar, ndërsa sot kohët ndryshojnë përditë për mirë edhe në këtë drejtim! Sepse sot vullneti politik është i plotë dhe mburoja e vjetër politike ka rënë! Unë uroj vetëm që t’u shkohet sa më shumë deri në fund historive të ulëta me para të pista dhe forca e ligjit të mos ndalojë përpara askujt, kur faktet provojnë se është shkelur ligji për përfitime të paligjshme, nga kushdoqoftë”, shkruan Rama.
Reagimi vjen pas vjedhjes së zyrtares, Alda Klosi ish- shefe e kabinetit të ish ministrit Arben Ahmetajt, rast i cili zbuloi se ajo kishte në shtëpi 120 mijë euro të padeklaruara, e ndërsa iu morën edhe sende të tjera me vlerë. Kjo e fundit ka bërë denoncimin për vjedhjen e banesës te “Rruga e Kosovarëve” nga ky rezultoi se autore ishte pastruesja e saj, Rozeta Dobi me të birin Havier. 42-vjeçarja Klosi ka pohuar gjatë dëshmisë se më parë ka punuar si shefe e kabinetit të ish zv. Kryeministrit Ahmetaj, ka thënë se 120 mijë euro që i kanë vjedhur ishin të familjes së xhaxhait të saj që rrinte në Amerikë, i cili ia ka lënë për të kompletuar shtëpinë dhe për nevoja pasi ai ishte i sëmurë me kancer. Ndërkohe grabitja e parave është pranuar edhe nga vetë e arrestuara. Ajo ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje në polici se paratë i kishte vjedhur nga urrejtja që kishte krijuar për Alda Klosit. Ndërkohë dy të arrestuarit janë vendosur në përgjim ambiental gjatë qëndrimit në paraburgim ku kanë deklaruar mes tyre se policia nuk ka mundur të gjejë paratë e fshehura në tubin e aspiratorit. Kaq ka mjaftuar që policia të shkoje për herë të dytë në banesën e tyre duke gjetur edhe shumën e 400 mijë eurove të cilat ende deri tani nuk i ka dalë pronari.