Gruaja që rregjistroi kryetarin e Gjykatës së Gjirokastrës, ishte denoncuar muaj më parë në rubrikën “Shihemi në gjyq”, në emisionin “E Diela Shqiptare” nga ish-vjehrra e saj.
Sikundër e kemi pasqyruar përmes një videoje, Merushja pretendonte se nusja e kishte rrahur dhe e kishte lënë pa shtëpi, duke e detyruar të flinte në garazh. Sipas saj, ish-nusja e djalit, denoncuesja e gjyqtarit Boçi, ia kishte marrë shtëpinë me një vendim të dhënë papritur nga Gjykata e Apelit, brenda ditës. “Kam tridhjetë muaj që jam nëpër gjyqe. I kam fituar gjyqet në shkallë të parë, shkallë të dytë. Kam marrë dhe vendim për ta nxjerrë jashtë nusen e djalit. Dhe në kohën kur do të merrte vendimin për të dalë jashtë, vajti më hapi gjyq në Apel dhe brenda ditës u bë gjyqi. Nuk më pyeti njeri mua, më lanë përjashta”, ka thënë e moshuara.