Shkrimtarja e njohur Sandra Hoffman gjatë vizitës së saj në Shqipëri ka mbërritur edhe në qytetin e Shkodrës. Ajo ka promovuar librin më të fundit të titulluar “Paula” që vjen i përkthyer në shqip nga Sokol Mici.

Ky roman i shkruar me guxim dhe butësi nga shkrimtarja gjermane i kushtohet një familjeje, tri grave, tri brezave dhe një heshtjeje të thellë mes tyre, kundrejt së cilës ndihmon vetëm një gjë, të rrëfehesh.

Kur Paula vdes, ajo merr me vete një të fshehtë në varr. Vajza dhe mbesa e saj nuk do të dinë kurrë se kush ishte babai dhe gjyshi i tyre.

Sandra Hoffmann tregon historinë e gjyshes së saj Paula, duke i kundërvënë pushtetit të heshtjes fuqinë e fjalës. Autorja gjermane tregon ditët e saj në Shqipëri.

“Isha para 3 vitesh në Shqipëri dhe ashtu siç mund t’ju duket ju Gjermania kur shkon, interesante dhe e bukur ashtu më është dukur edhe mua Shqipëria.

Është një vend shumë i çmueshëm dhe shumë i bukur në udhëtimin që kam bërë këtu. Unë kam udhëtuar në Shqipëri dhe ka qenë një qëllim i imi që të udhëtoj vetëm për autobuz.

Kam arritur që të takoj shumë njerëz edhe në autobuz edhe gjatë udhëtimit dhe kam hasur edhe gjëra të mira por edhe të këqija.

Dua t’ju falenderoj ju që keni bërë të mundur ftesën ndaj meje dhe faktin që jam këtu. Pavarësisht se shumë këtu nuk dinë gjermanisht, edhe unë nuk ju kuptoja ju por gjithsesi është ndjesia që të sjellë gjuha.

Shpresoj që libri im të pëlqehet nga ana juaj dhe besoj që edhe të lexohet sepse ka mesazhe dhe një histori që them se do t’i vlejë gjithsecilit”.

Sandra Hoffmann do të jetë deri në fund të tetorit në Shqipëri dhe pas Tiranës ka zgjedhur Shkodrën të sjellë librin e saj “Paula”.

Është hera e tretë që shkrimtarë të njohur nga Gjermania bëhen pjesë e veprimtarive kulturore të “Tetorit gjerman”. Sandra Hoffmann është një autore mjaft e vlerësuar nga kritikët në Gjermani, fituese e disa çmimeve.

Artikulli paraprakTRAJNERI I SPANJËS: MUND T’I KISHA VRARË LOJTARËT
Artikulli tjetërFACEBOOK, SI TË FSHIJMË MESAZHET E DËRGUARA PA DASHJE?