“Vjeshta” antikrim, në shënjestër pasuria mbi 50 mln euro
Në vetëm 1 muaj që nga nisja e operacionit “Vjeshtë 2017”, për goditjen e grupeve dhe aseteve kriminale, Policia e Shtetit ka referuar materiale në Prokurori për hetime pasurore për 44 raste, nga të cilat 40 janë dërguar në Prokurorinë për Krimet e Rënda, e 4 referime në prokuroritë e Rretheve Gjyqësore Berat, Tiranë e Fier. Sipas burimeve bëhet fjalë për pasuri, që nëse do të sekustrohen e më pas konfiskohen, vlera financiare mund të kalojë shifrën e 50 milionë eurove. Top Channel ka siguruar të dhënat e pasurive të dyshuara që janë evidentuar. Në listën e uniformave blu renditen 79 apartamente banimi dhe vila, 25 njësi tregtare, 84 automjete, një pallat 11-katësh, dy anije peshkimi, si dhe rreth 54 mijë metra katrorë sipërfaqe toke. Në vetëm një rast në qytetin e Lezhës, gjykata ka aprovuar kërkesën e prokurorisë, pas referimit të saj, duke sekuestruar pasuri në vlerën e 670 mijë eurove të një individi me të shkuar kriminale në disa vende të Bashkimit Europian. Operacioni “Vjeshtë 2017” nuk ka një afat të paracaktuar, thonë burime nga policia, ndaj pritet që të vijojë deri në fund të vitit dhe synon të arrijë shifra rekord në historinë e viteve të fundit, sa i takon vlerës së pasurive të sekuestruara. Por, problem mbetet hallka tjetër, konfiskimi përfundimtar i aseteve për llogari të shtetit. Nga eksperienca e viteve të fundit, në shumicën e rasteve, si pasojë e zvarritjes së proceseve, por edhe manovrave ligjore, individëve iu kthehen pronat, pasi nuk arrihet të vërtetohet burimi kriminal.