Ulet numri i turistëve të huaj të ardhur në Shqipëri gjatë tetorit. Sipas të dhënave të INSTAT, krahasuar me një vit më parë të huajt që kanë hyrë në vendin tonë janë 11 për qind më pak. E kundërta ndodh me shqiptarët që largohen jashtë vendit të cilët kanë pasur rritje gjatë muajit tetor.
Muaji tetor edhe pse me mot të ngrohtë ka pasur një rënie të ndjeshme të numrit të turistëve të huaj.
Të dhënat e INSTAT tregojnë së në tetor 2018, numri i shtetasve të huaj të hyrë në vend është 337.603 duke ulur me 11,0 % krahasuar kjo me një vit më parë.
Pavarësisht zgjerimit të sezonit, Shqipëria nuk ka arritur të thithë turistë gjatë vjeshtës. E nëse bëjmë një krahasim të hyrjes së të huajve sipas shteteve vërejmë që ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri është Zvicra e cila ka patur rritjen më të madhe me 134,5 % dhe ulje kanë patur hyrjet e shtetasve nga Polonia me 71,8 %.
Ndërkohë shtetasit kosovarë kanë pësuar një ulje të ndjeshme gjatë tetorit dhe në krahasim me një vit më parë ne vend kanë hyrë rreth 15 mijë shtetas më pak.
Por sipas INSTAT nuk ndodh e njëjta gjë me shqiptarët që udhëtojnë jashtë Shqipërisë. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Tetor është rritur 9,6 % krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Si dhjetëmujor numri i shtetasve të huaj vlerësohet me rritje të ndjeshme krahasuar me 2017.