Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, gjithashtu edhe kryeparlamentare, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Tiranë është pritur edhe nga kreu i Partisë Demomratike, Lulzim Basha. Pas takimit Basha dhe Osmani patën nga një deklaratë për shtyp.
Në fjalën e tij Basha ka deklaruar se gjatë bisedës me znj. Osmani është diskutuar domosdoshmëria e unifikimit të qëndrimeve Kosovë – Shqipëri
“Jam krenar që kemi bërë gjithçka për pavarësinë dhe njohjet e Kosovës. Kosova dhe populli i saj janë në këto momente të vështira pa mbështetjen e duhur nga Shqipëria. Kuvendi të votojë rezolutën për dënimin e krimeve serbe në Kosovë. Historia s’mund të shkruhet nga agresorët.
Liria s’mund të nëpërkëmbet nga ata që nderojnë agresorin. Mbështesim fuqimisht dialogun Serbi – Kosovë për njohjen finale. Çështja 2, nevoja për të eleminuar barrierat zyrtare dhe jozyrtare mes nesh. Një nga vendimet e para të qeverisë time do të jetë heqja e traut në Rrugën e Kombit dhe Kuvendi i ri i Shqipërisë do të miratoje rezolutën për dënimin e gjenocidit serb. “, ka thënë Basha.
Vjosa Osmani në fjalën e saj bëri thirrje edhe një herë që Shqipëria dhe Kosova të rrisin bashkëpunimin e sinqertë.
“Si kryetare e Kuvendit dhe Ushtruese e Detyrës së Presidentit është detyra ime parësore që të paraqes kërkesat legjitime të qytetarëve të Kosovës, të kërkoj atë që ata e kërkojnë natyrshëm, bashkëpunimin e sinqertë, të mos ketë barrierë apo keqkuptim, të punojnë të gjithë bashkërisht, Të mos harrojmë që jemi shqiptarë.
Siç e thashë dje në Kuvendin e Shqipërisë të punojmë bashkërisht që flamuri i Kosovës dhe ai i Shqipërisë të valëviten në institucione ndërkombëtare. Jemi dy shtete të pavarura dhe sovrane por jemi një shpirt i pamposhtur dhe si të tillë duhet të punojmë para botës. Shqpëria të jetë shteti i dytë pas Kosovës që të dënojë gjenocidin serb, kjo nuk duhet ta hasë në vonëse dhe pikëpyetje.
Është e domosdoshme që sa i përket krimeve të llahtarshme që Serbia ka kryer në Kosovë t’i dënojmë bashkërisht dhe me një zë të qartë dhe pas asnjë pikëpyetje. Në të vërtetë nuk ka pikëpyetje që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovës.
Ne jemi gjallë si popull, i kemi shpëtuar këtij qëllimi për shkak të luftës së drejtë që ka bërë UÇK, por edhe për shkak se Shqipëria na ka qëndruar në krah, por edhe për shkak se fuqitë më të mëdha botërore ishin dhe janë me ne.
Ashtu si në të kaluarën të veprojmë dhe të flasim me një zë edhe më të fuqishëm tani. Serbia po tenton ta falsifikojë historinë, e cila ka ndodhur në sy të gjithë votës., Ne nuk e kemi nevojë ta ekzagjerojmë atë që ka ndodhur sepse ashtu siç ndodhi ishte e paimagjinueshme nga një njeri normal”, tha ndër të tjera Osmani.