VKM – Rritje page për punonjësit e shërbimit sekret të ushtrisë dhe shoferët e urgjencës
Punonjësit e shërbimit inteligjent të ushtrisë përfitojnë një rritje page. Në mbledhjen e sotme të qeverisë është vendosur rritja e pagës me 5 mijë lekë në muaj. “Punonjësit mbështetës, që punojnë në Agjencinë e Inteligjencës dhe të Sigurisë së Mbrojtjes, të cilët trajtohen në pagë sipas lidhjeve përkatëse të këtij vendimi, përfitojnë një shtesë për kushte pune dhe shërbimi, në masën 5 000 (pesë mijë) lekë në muaj.”, thuhet në pikën 15 të vendimit. Gjithashtu, në ndryshimet ligjore, “Për pagat e punonjësve mbështetës të institucioneve buxhetore dhe të nëpunësve të disa institucioneve buxhetore”, bëhet ndryshimi i pagës edhe shoferët e urgjencës së spitaleve për natyrë të veçante pune. Për këtë arsye, ata përfitojnë një shtesë prej 10 mijë lekësh në muaj. Shtesë page prej 4 mijë lekësh në muaj përfitojnë edhe rojet mjedisore të administratave të zonave të mbrojtura.