Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë Romana Vlahutin tha se persona të cilët nuk e duan reformën në drejtësi po përpiqen të shpërndajnë informacione të gabuara për të frikësuar opinionin publik.

“Për reformën në drejtësi, ekziston një rrezik që ata që nuk e duan këtë reformë, do të shpërndajnë informacione të cilat janë të bazuara në fakte të gabuara ose që ta bëjnë këtë për të frikësuar opinionin”, tha ajo. Romana Vlahutin bëri një krahasim me lëvizjen studentore të 25 vjetëve më parë kundër regjimit komunist në Shqipëri dhe tha se e njëjta forcë e guxim duhet për të realizuar reformën në drejtësi. “25 vjet më parë njerëzit thanë ‘e duam Shqipërinë si gjithë Europa’. Ky është thelbi i reformës. 25 vjet më parë duhej shumë më tepër guxim për të dalë në rrugët e Tiranës për të kërkuar liri, sesa duhet sot për të realizuar këtë reformë. Prandaj, nuk ka justifikime dhe të gjithë ata që mendojnë se me arrogancë, manipulime apo lobime agresive do ta ndalojnë këtë proces, janë të gabuar”, deklaroi Vlahutin. Kryediplomatja e BE e cila në të gjitha deklaratat e saj ka shprehur me forcë qëndrimin e ndërkombëtarëve për të mos u ndalur në realizimin e këtij procesi të rëndësishëm për vendin tonë, dha një rast konkret të “shtrembërimit” të vërtetës. “Kur lexova që në një nga tryezat e rrumbullakëta kur unë vetë personalisht isha e pranishme, një përfaqësues i EURALIUS, demek kishte thënë që duhen larguar nga puna 400 gjyqtarë, vërtet u mërzitëm shumë. Unë mund t’jua them këtë pasi isha vetë aty personalisht. Ky nuk ishte citim i saktë. Kjo nuk ishte deklarata që u bë. Kjo deklaratë nuk u bë kurrë, por ajo që u tha ishte tërësisht e kundërta, që pavarësisht se dëgjojmë disa gjëra të cilët thonë që duhen hequr të gjithë në mënyrë të menjëhershme, gjyqtarët dhe prokurorët, ne japim mendimin tonë të fortë që nuk duhet bërë kjo, por që duhet të ketë një sistem i besueshëm me anë të të cilit do të bëhet e qartë, jo vetëm tani por përgjithmonë, se kush është një gjyqtar apo një prokuror i përgjegjshëm dhe profesionist dhe se kush janë të korruptuarit të cilët abuzojnë me sistemin dhe që vjedhin pasuritë kombëtare të shqiptarëve dhe të shtetit shqiptar. Ata që vjedhin në shkollat tuaja, spitalet tuaja, rrugët tuaja, në mënyrë që të ndërtojnë vilat e tyre, makinat e shtrenjta dhe biletat në klasin e parë, pra të korruptuar të cilët nuk kanë pikë nderi, integriteti, por thjesht duan vetëm para”, u shpreh Vlahutin. Duke vijuar në këtë linjë, kryediplomatja tha se refoma nuk po bëhet kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve, por për t’i mbështetur ata drejt një orientimi; se ka “vetëm një autoritet dhe ky autoritet është e vërteta, fakte, evidenc, prova të certifikuara nga ligji”. “E vërteta është që kjo reformë nuk po bëhet kundër gjyqtarëve apo prokurorëve, përkundrazi, kjo reformë është për gjyqtarët , për prokurorët që e bëjnë punën e tyre në mënyrë të përgjegjshme për t’i mbështetur ata në punën e tyre që ta bëjnë atë me dinjitet, t’i lejojmë gjyqtarët që ta bëjnë punën siç duhet pa presione, të bëjnë atë që duhet të bëjnë të japin drejtësi dhe në këtë mënyrë të mbrojnë demokracinë”, – theksoi ambasadorja e Bashkimit Evropian. Këto deklarata ambasadorja e Bashkimit Evropian në vendin tonë i bëri gjatë një takimi me studentë në Shkollën e Magjistraturës në kuadër të konsultimeve publike për reformën në drejtësi. Kryediplomatja i vlerësoi këto tryeza si përpjekjet tona të përbashkëta për të krijuar një sistem drejtësie në krye të të cilit ka profesionistë të përgjegjshëm, të pavarur me njohuritë e duhura dhe me integritetin e duhur. “Prania e shumë e shumë shteteve anëtarëve dhe e ambasadorëve të tyre në këto tryeza të rrumbullakëta ka qenë edhe një shenjë shumë e rëndësishme e asaj se sa e rëndësishme është kjo për shtete anëtare për reformën në drejtësi dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, -përfundoi ajo.

Artikulli paraprakNDAHET NGA JETA, IMZOT RROK MIRDITA
Artikulli tjetërTONIGHT – 8 12 2015