Vlahutin: Heqja e votës për të dënuarit, anti-kushtetuese
Ambasadorja e BE në Shqipëri, Romana Vlahutin kundërshton vendimin për heqjen e votës për të dënuarit dhe thotë se në rastin më të mirë një vendim i tillë është interpretim i gabuar i ligjit të dekriminalizimit. Vlahutin thotë se e drejta e votës është e panegociueshme dhe baza e demokracisë. “Është hera e parë në jetën time që dëgjoj se dikush ka pasur një ide të tillë dhe jam tërësisht e sigurt që ky duhet të jetë një interpretim i gabuar apo diçka e tillë. Sepse ajo që kemi kuptuar ne për ligjin e dekriminalizimit është që ata që kanë kryer krime nuk mund të kandidojnë dhe nuk mund të votohet për ta. Por ama, të gjithë, përfshirë të burgosurit, kanë të drejtën për të votuar dhe kjo është e panegociueshme, është baza e demokracisë që çdo qytetari në një moshë të caktuar i jepet e drejta për të votuar. Pra, personat që duan të votohen në detyrë ose zyrtarë që kanë bërë krime, për ta është legjislacioni”, deklaron Vlahutin.