Ambasadorja e BE në Shqipëri Romana Vlahutin në “Ditën e Evropës” deklaroi nga Shkodra se Shqipëria ka humbur shumë mundësi për integrimin në Bashkimin Europian dhe tashmë ka një mundësi që nuk duhet ta humbasë duke iu referuar reformës në drejtësi.
Ambasadorja Vlahutin përshëndeti edhe votimin unanim të palëve politike për draftin ndërkombëtar për reformën në drejtësi nga komisioni i posaçëm. Pyetjes të Star Plus se a do mund ta ndryshojë reforma në drejtësi sistemin korruptiv e kriminal në Shqipëri apo do jetë një lojë politike e radhës, ambasadorja e BE u përgjigj duke thënë se objektiv është pikërisht shërimi i sistemit. Për ikjen e shqiptarëve në emigracion ambasadorja e BE e pati të vështirë përgjigjen por tha se duhet investuar në Shqipëri në mënyrë që njerëzit të mos emigrojnë. Ambasadorja e BE u përgjigj pytjeve të gazetarëve në një konferencë për shtyp të realizuar në qendrën e informimit të BE në Shkodër.