Prej kohësh ka një shqetësim të ngritur lidhur me gjendjen teknike të digave në vend.

Ky shqetësim bëhet evident sa herë ka rritje të prurjeve ujore dhe shirave por së fundmi në një dokument zyrtar qeveria pranon se një pjesë e mirë e digave në vend përfshirë ato që janë të lidhura me bujqësinë përbëjnë kërcënim serioz dhe duan ndërhyrje urgjente.

“Një vlerësim i bërë për gjendjen teknike të 626 digave, rezultoi në përfundimin se 410 (ose 65% e numrit të përgjithshëm), shfaqin probleme të theksuara teknike dhe kërkojnë vëmendje urgjente. Drenazhimi i ujërave është përkeqësuar gjithashtu për shkak të përmbytjeve të kanaleve kulluese dhe uljes së kapacitetit kullues të hidrovorëve. Situata pritet të përkeqësohet më tej për shkak të ndryshimeve klimatike, të cilat janë pasqyruar në fenomene ekstreme të motit” thuhet në dokument.

Një pjesë e digave janë në varësi të Ministrisë së Bujqësisë. Konkretisht sipas të dhënave zyrtare që raporton dokumenti në Shqipëri ka 362 diga më të larta se 15 m me zona të populluara poshtë tyre.

“Ato janë relativisht të vjetra, veçanërisht ato në varësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural apo pushtetit vendor, të cilat përbëjnë rreth 90% të digave dhe për rrjedhojë më të cenueshme ndaj aktivitetit sizmik. Gjithashtu, kërkohet edhe ndërtimi i digave të reja, disa prej të cilave në zonat e ekspozuara ndaj rrezikut sizmik nga pikëpamja gjeologjike” thuhet në dokument.

Por dora e njeriut me ndërhyrje në ndërtime pa leje apo urbanizimin e pastudiuar duket e ka rritur rrezikun gjithashtu. Dokumenti nënvizon se vlerësohet se ka një numër të konsiderueshëm ndërtimesh pa leje në infrastrukturën e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet.

“Urbanizimi dhe ndërhyrja njerëzore nga njëra anë, degradimi natyror nga ana tjetër, kanë bërë që shumë prej infrastrukturave mbrojtëse të jenë jashtë funksionit ose gjysmë-funksionale, në një mjedis ku frekuenca, ashpërsia dhe shpërndarja gjeografike e përmbytjeve janë në rritje” nënvizon strategjia.

Në tërësi është kërkuar që të bëhet një rivlerësim i gjendjes së digave mbi 20 vjeçare dhe të bëhet ndërhyrje emergjente në ato raste kur situate shfaqet me problematike./Monitor/

Artikulli paraprakSULMI KIBERNETIK, ME HAKERAT IRANIANË BASHKËPUNOI EDHE NJË SHQIPTAR
Artikulli tjetërZYRTARE, SHQIPËRIA LUAN MIQËSORE ME ARABINË SAUDITE!