Vllaznia mund ta nisë pjesën tjetër të kampionatit me një sërë largimesh nga radhët e saj.Dy prej emrave më të mundshëm për t’u larguar nëse nuk gjejnë gjuhën e përbashkët me klubin për vazhdimësinë janë sulmuesi kroat Ante Aralica dhe mesfushori, shqiptari i malit të Zi Kristian Vulaj. Aralica nuk ka qenë gjithnjë zgjedhje e parë për trajnerin Josa duke bërë që kroati të mendojë largimin nga kuqeblutë. Nga ana tjetër edhe Vulaj nuk është fare në preferencat e trajnerit Josa edhe pse është një prej futbollistëve më të paguar dhe kështu me shumë gjasa Vulaj do të marrë valixhet edhe pse erdhi me shumë bujë në Shkodër nuk arriti të jetë në formacion.

Ndërkohë një largim i mundshëm mund të jetë edhe për brazilianin Kaina Nunjesh pasi braziliani sipas burimeve ka shfaqur pakënaqësi lidhur me aktivizimet jo të shpeshta duke qenë më shumë pjesë e stolit pasi ka luajtur vetëm katër ndeshje si titullar nga 15 në total deri më tani duke realizuar tre gola. Një tjetër emër që mund t’i japë lamtumirën Vllaznisë është edhe boshnjaku Elvedin Heriç. Edhe mesfushori nuk ka qenë në preferencat e trajnerit Josa duke qëndruar më shumë në stolin e rezervave gjë e cila ka sjell pakënaqësi edhe për të. Kontrata e Heriç mbaron në verën e vitit 2023 por boshnjaku mund të largohet më përpara. Ndërkohë që vera duket e largët, numri i futbollistëve që u mbaron kontrata është I lartë, 9 të tillë.

Kjo do të bëjë që drejtuesit të veprojnë në kohën e duhur për të mbajtur ata lojtarë për të cilën kanë interes. Nga ana tjetër trajneri i Vllaznisë Mirel Josa deklaroi se fillimisht problemi është të zgjidhet çështja e atyre që do të dalin më pas atyre që do të hyjnë, pra duke lënë të nënkuptohet lidhur me largimet. Ndërsa 4-5 lojtarë mund të largohen deri më tani është e paqartë nëse do të ketë futbollistë që do t’i bashkohen Vllaznisë në merkaton e janarit. Skuadra ka nevojë për disa ndërhyrje në mesfushë dhe sulm kryesisht për të zëvendësuar të larguarit por edhe për të përforcuar ekipin. Vllaznia e mbylli me një fitore këtë vit 4-0 ndaj Teutës, 3 pikë që rikthyen optizmin tek kuqeblutë pas disa rezultatesh negative radhazi.

 

Artikulli paraprakÇIFTI I TË MOSHUARVE 3 VITE JETESË NË GARAZH
Artikulli tjetërFESTAT E FUNDVITIT “BASHKOJNË” PD, BËHEN BASHKË NË NJË TRYEZË BERISHA, BARDHI, TABAKU, POR JA KUSH MUNGON