Ardhja e turkut Engin Firat si drejtor i klubit Vllaznia po kthehet si një telenovelë e vërtetë turke. Një ditë më parë Firat bëri prezantimin e tij duke patur kështu edhe daljen e parë publike zyrtare në media dhe përpara tifozëve të shumtë të kuqebluve.
Mirëpo pas këtij prezantimi që zgjati për 30 minuta burime shumë pranë klubit Vllaznia hedhin dyshime të forta se turku Engin Firat nuk ka firmosur ende kontratë me kuqeblutë.
Kjo nuk është lënë thjeshtë si një çështje burokratike mes Firat dhe drejtuesve të Vllaznisë por për një arsye shumë më të fortë.
Burime pranë turkut por edhe pranë klubit Vllaznia arrijnë në konfirmimin e përbashkët se Engin Firat nuk e ka firmosur ende kontratën me kuqeblutë për shkak se ai nuk disponon liçensë për të qenë drejtor teknik i një klubi si Vllaznia.
Burimet tregojnë se e sigurtë është që ende nuk ka nënshkruar kontratën e re ndërsa ka dyshime se Firat nuk posedon liçensën.
Kjo nisur nga fakti se në dokumentacionin e paraqitur nga ana e tij në momentin kur ka aplikuar për drejtor i klubit Vllaznia por edhe pas përzgjedhjes së tij në këtë post nuk ka paraqitur liçensën e drejtorit.
Sipas të njëjtave burime Firat posedon UEFA pro për të qenë trajner por jo liçensën e drejtorit sportiv, gjë e cila e ka penalizuar dhe nuk e ka lejuar që të firmosë kontratën edhe
pse ka gjetur akordin me drejtuesit e Vllaznisë dhe kryetaren e bashkisë Voltana Ademi sa i përket pagës, kushteve apo edhe nevojës së tij për të qenë larg Shkodrës në momente të ndryshme.
Pavarësisht se ka dyshime të forta për mungesën e kësaj liçense sipas burimeve tashmë ka edhe një plan për turkun njëlloj si skenarët e telenovelave. Engin Firat pritet që të regjistrohet në kursin që ka Federata Shqiptare e Futbollit për përgatitjen e personave të cilët duan të punojnë si drejtor sportiv në klubet shqiptare.
Pas regjistrimit në FSHF atëherë turku Firat mund të firmosë kontratën me kuqeblutë ndërsa në fund të atij kursi ashtu si gjithë të tjerët mund të pajiset me liçensën përkatëse.
Nëse rezulton e vërtetë se Firët ende nuk ka firmosur me Vllaznisë dhe se ai nuk disponon një liçensë ky do të ishte skandali i radhës aq më tepër kur bashkia Shkodër hapi aplikime duke përcaktuar qartazi kriteret për të gjithë kandidatët.