Analiza e klubit Vllaznia ende nuk është vendosur se kur do të zhvillohet.

Burime pranë kuqebluve bëjnë me dije se analiza do të jetë gjatë kësaj jave sepse në të kundërt koha kalon dhe skuadra ka nevojë që të nisë përgatitjet për sezonin e ri. Trajneri i kuqebluve Armando Cungu vazhdon që të jetë jashtë Shqipërisë me familjen e tij duke pushuar pas një sezoni të ngarkuar.

Me pushime jashtë Shqipërisë është edhe kapiteni Shtubina ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve kanë zgjedhur të qëndrojnë në Shkodër pranë familjeve të tyre. Në analizë që pritet të zhvillohet këtë javë do të diskutohen të gjitha problematikat që shoqëruan Vllazninë gjatë gjithë këtij sezoni deri në javën e fundit kur rrezikoi ndjeshëm rënien nga Superliga dhe shpëtim u bë barazimi 0-0 me Tiranën në javën e fundit.

Shkodranët kanë patur një sezon plot me luhatje duke patur ngritje por edhe ulje të shumta. Janë humbur e barazuar disa ndeshje të pakuptimta ndërsa kanë ndodhur edhe disa situata të papritura si përjashtimi i disa lojtarëve si Ylli Hoxha, Agoviç apo edhe Cicmil. Disa herë trajneri Cungu ka qenë i ashpër në deklaratat e tij duke iu drejtuar edhe krerëve të klubit për mbështetje e duke menduar edhe dorëheqjen e tij si trajner. Të gjitha këto shqetësime të një sezoni jo të lehtë do jenë pjesë e analizës.

Një tjetër pikë e rëndësishme është se çfarë do të bëhet me të ardhmen e Vllaznisë. Cila do jetë skuadra e re e kampionatit të ardhshëm? A do të ndërtohet një ekip pretendent apo Vllaznia do notojë sërish ashtu si 5 vitet e fundit? A do ketë financa të mjaftueshme për shkak të bllokimit momental të të gjitha llogarive? Pyetje këto që do diskutohen në analizë në të cilën do të jenë kryetarja e bashkisë Voltana Ademi bashkë me drejtuesit e klubit dhe stafin teknik.

Artikulli paraprakSHTOHEN GRABITJET, BANORËT TË SHQETËSUAR
Artikulli tjetërRAMA MESAZH SHQIPËTARËVE, PËR 25 QERSHORIN