Pas 7 javësh kampionat shkodranët ndodhen në vendin e parafundit, sëbashku me Luftëtarin, në kuotën e 5 pikëve.
Starti jo i mirë i Vllaznisë në këtë sezon të ri me një paraqitje dhe rezultate të dobëta duke se nuk ka ndikuar tek trajneri Ernest Gjoka i sapoardhur në pankinën kuqeblu. Ai pasditen e së martës pas një dite pushim ka rikthyer sërisht në fushën e stërvitjes skuadrën për tu përgatitur në ndeshjen e rradhës ndaj Kukësit. Ndeshja e së dielës ndaj skuadrës kampione në fuqi konsiderohet mjaft e vështirë për shkodranët por duket së drejtuesit e kuqebluve kanë ende besim tek skuadra në arritjen e rezultateve dhe kalimin e këtyre momenteve të vështira që po kalojnë. Mungesa e një futbollisti në pozicionin e sulmuesit ka bërë që Vllaznia të bëjë gabime të ndryshme në mbrojtje e pasqyruar edhe në pësimin e njëpasnjëshëm në gola, por kjo gjë nuk e ka demoralizuar trajnerin Gjoka i cili ka zhvilluar edhe një analizë të situatës aktuale të skuadrës ku përveç futbollistëve dhe stafit teknik, prezent kanë qënë administratori Astrit Gjyrezi dhe drejtori sportiv Eugent Zeka. Përgjithësisht stafi teknik e ka vlerësuar si një ndeshje të mirë përballjen e së dielës ndaj Partizanit në “Loro Boriçi” pavarësisht rezultatit të arritur. Kjo bëhet e ditur nga vetë klubi shkodran në faqen e tij zyrtare në të cilën shkruan:
“Pas një dite pushimi, futbollistët e Vllaznisë i janë rikthyer sot sërish procesit stërvitor duke nisur përgatitjet për sfidën e kësaj jave me Kukësin. Para daljes në fushën e stërvitjes, ekipi ka zhvilluar analizën e ndeshjes së fundit me Partizanin. Në këtë analizë përveç futbollistëve dhe stafit teknik, kanë marrë pjesë edhe administratori Gjyrezi dhe drejtori sportiv Zeka. Trajneri Gjoka në fillim të fjalës së tij ka vlerësuar paraqitjen në këtë ndeshje dhe pavarësisht humbjes i ka kërkuar futbollistëve të mbajnë kokën lart sepse sipas tij, skuadra do të rikthehet në nivelin e duhur shumë shpejt. Ai u ka bërë të ditur lojtarëve të tij duke thënë se vetëm me personalitet, mund të kalohet kjo situatë. Pas trajnerit, kanë folur edhe drejtuesit e klubit të cilët kërkojnë angazhim maksimal për ndeshjen e rradhës duke patur si objektiv marrjen e pikëve në Kukës. Vllaznia vërtetë nuk ka patur rezultatet e duhura në këtë fillim-sezoni por të gjithë janë të bindur se ajo i ka mundësitë për të bërë shumë më tepër”.
Përsa i përket takimit Kukësi – Vllaznia, duhet theksuar se kjo është një tjetër sfidë delikate për shkodranët. Kuqeblutë do të shkojnë në këtë takim pas nje humbje që patën ndaj Partizanit. Një tjetër humbje do ta zhyste akoma më shumë në krizë ekipin shkodranë. Ndërkohë trajneri Ernest Gjoka rikthehet në Kukës, tek ekipi që e shpalli kampion, por këtë herë si kundërshtar.