Klubi Vllaznia nuk ka qëndruar në vendnumëro por ka ankimuar në FIFA në lidhje me çështje e ish-zëvendëstrajnerit të kuqebluve
, italianit Davide Belotti dhe ish-sulmuesit të Vllaznisë Muhamed Kdouh. Belotti dhe Kdouh pas largimit nga skuadra shkodrane kanë bërë një padi në FIFA duke pretenduar se në bazë të kontratave që kishin me Vllazninë, ky klub i ka një borxh prej rreth 30 mijë, me nga 15 mijë për secilin. Para pak kohësh në klub, organi më i lartë i futbollit njohi Vllazninë me këtë shumë që Belotti dhe Kdouh pretendojnë për të marrë. Drejtuesit e kuqebluve kanë përgatitur dokumentacionin dhe kanë bërë një ankimim në FIFA duke pretenduar se shuma prej 30 mijë euro është e ekzagjeruar. Nga ana e saj Vllaznia ka pranuar borxhin ndaj Belottit dhe ish-sulmuesit Kdouh por pretendimi i kuqebluve është se nuk i detyrohen më shumë se afro 10 mijë euro në total, me nga 5 mijë euro për gjithsecilin. Në këtë mënyrë shkodranët kanë dërguar ankimimin në FIFA me pretendimin se nuk është e drejtë që të paguajnë për kohën kur ish-zëvendëstrajneri Davide Belotti dhe Muhamed Kdouh nuk kanë qenë fare në Shqipëri. Në këtë mënyrë kjo çështje ende nuk ka përfunduar dhe tashmë në FIFA do shqyrtohet edhe kërkesa e klubit Vllaznia. Natyrisht që do të duhet edhe pak kohë për të marrë vesh se cili do jetë verdikti përfundimtar i FIFA-s nëse do i jepet të drejtë dy ish-personave që kishin kontratë me Vllazninë apo klubit kuqeblu. Një tjetër pretendim përveç shumë prej 10 mijë euro, Vllaznia ka edhe për hierarkinë që të huajt e tejkalojnë gjithnjë. Klubi shkodran ka bërë me dije në FIFA se më parë këto çështje duhet të shqyrtohen nga dhoma e zgjidhjes së konflikteve në Federatën shqiptare të futbollit dhe më pas në instanca të tjera ndërkombëtare. Deri më tani ky pretendim nuk është marrë parasysh dhe duket se kështu do të ndodhë edhe kësaj here.