Vllaznia ishte shumë afër fitores në Vlorë, por vetëm në sekondat e fundit Flamurtari shënoi me anë të afrikanit Camra duke i hequr mundësinë shkodranëve të ktheheshin me tre pikë.

Ndeshja ishte me dy tablo, në pjesën e parë dominuan vendasit, ndërsa në të dytën të besuarit e Gjokës luajnë më mirë, ndërsa Vucaj humbi edhe një penallti. Ndeshja nis më Flamurtarin në sulm, që sinjalin e parë e jep pas 7’ minutash lojë me anë të Useinit, por shkodranët largojnë rrezikun.

Miqtë përgjigjen 3’ minuta më vonë pas një aksioni të shpejtë nga krahët, por Nurkoviç mbyll pa vështirësi. Në minutën e 20’ Flamurtari i afrohet golit me Muarem Muarem, që ka një mundësi mjaft të mirë, por Sherri bën një ndërhyrje shpëtimtare duke e larguar topin në këndore.

Në këto minuta Vllaznia mendon më tepër për mbrojtjen, me vendasit që janë më të rrezikshëm në sulm. Si Busic ashtu edhe Muarem, provojnë të kalojnë kuqezinjtë në epërsi, por Sherri tregohet vigjilent. Çinari kombinon bukur me Likën dhe futet brenda zonës, por Nurkoviç mbyll gjithçka (27’).

Një minutë para fundit Nedjelkoviç godet fuqishëm nga brenda zonës, por Sherri largon në këndore. Flamurtari ne pjesen e dyte i afrohet ndjeshëm golit të avantazhit në minutën e 53’ pas një goditjeje dënimi, por sfera përfundon në traversë. Musta hedh një top në zonë dhe aty provon Camara, që sapo ishte futur në fushë, por afrikani është i pafat, pasi e ndal traversa. Pas një aksioni të rrezikshëm Çinari fitoi një 11-metërsh, të cilën e merr përsipër Vucaj.

Mesfushori kishte rastin më të mirë për të kaluar kuqeblutë në avantazh, por shkodrani gabon fatalisht me Nurkoviç, që e pret pa vështirësi (58’). Në këto momente shpërthen trajneri Ardi Behari, i cili i kërkon llogari gjyqtarit Sino për penalltinë e dhënë, teksa ky i fundit e largon nga fusha për protesta. Busic ka një mundësi mjaft të mirë për të shënuar, por Krymi i heq topin nga këmbët (70’).

Në minutat e mbetura Vllaznia e kërkon më tepër golin dhe këtë herë është Lika, që provon me një gjuajtje të fuqishme nga hyrja e zonës, por Nurkoviç i thotë jo golit (81’). Vllaznia pak para fundi ‘shokon’ vendasit duke kaluar në avantazh me anë të fierakut Andi Ribaj, që pas një kundërsulmi të shpejtë mposhti portierin Nurkoviç (85’).

Në fund shkodranët i do edhe fati, pasi vendasit i ndal sërish traversa pas një goditje të Juffo. Gjithsesi në minutatën e fundit të shtesës Camara befason portierin Sherri me një goditje të fuqishme nga hyrja e zonës.

Artikulli paraprakAKSIDENT AUTOMOBILISTIK NË AKSIN RRUGOR RRËSHEN-MILOT
Artikulli tjetërPARASHIKIMI I MOTIT, E DIELA NIS ME VRANËSIRA