Vetëm dy javë para fillimit të kampionatit të ri, Vllaznia është e paplotësuar. Aktualisht skuadra ka në përbërje të saj 24 futbollistë, por shumica e tyre janë të rinj dhe nuk japin garancinë e duhur për stafin teknik. Trajneri Zmijani në çdo deklaratë të tij ka thënë se pret ende përforcime nga merkatoja. Këtë gjë ka paralajmëruar edhe administratori Kalamishi, i cili vetëm pak ditë më parë deklaronte se do të vinin edhe 3-4 futbollistë të tjerë.
Pas një jave përgatite në Slloveni kuqeblutë ende nuk kanë afruar një tjetër futbollist. Ka ardhur nga Italia vetëm një futbollist shkodran, Borshi, që luan si mesfushor, i cili është në provë për disa ditë. Të tjerë nuk kanë ardhur ende dhe ky është një shqetësim. Situata nuk është aspak e mirë, sidomos në repartin e sulmit, ku duhen patjetër përforcime. Ai që mendohej të ishte sulmuesi kryesor, malazezi Darko Paviçeviç, jo vetëm që nuk është në formën e tij më të mirë, por edhe ka pësuar një dëmtim dhe për dy-tre javë mund të jetë jashtë fushave të blerta. Të gatshëm janë vetëm dy 19-vjeçarët Çinari e Kabuni, por ata nuk japin shumë garanci për një sezon të gjatë dhe shumë të vështirë. Por përveç sulmit, përforcime duhen edhe në reparte të tjera, por ende nuk dihet se kush do jenë lojtarët që do vijnë. Në fakt kjo situatë nuk është aspak e re, pasi në këto katër vitet e fundit, kuqeblutë kanë mbyllur kontratat vetëm në orët e fundit të merkatos. Duket se e njëjta gjë do të ndodhë sërish, pasi shkodranët tashmë jo vetëm që rrezikojnë të jenë të paplotësuar për fillimin e sezonit por vënë në dyshim ecurinë pozitive. Prandaj drejtuesit në qoftëse kanë planifikuar disa lëvizje duhet ti realizojnë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që Vllaznia të mos rrezikojë rënien nga kategoria.