Skuadra e dytë e klubit shkodran, “Vllaznia B” e ka nisur me humbje kampionatin e kategorisë së parë në të cilin militon sivjet.
Pasditen e sotme ajo është mundur 0-1 nga Egnatia në ndeshjen e luajtur në qytetin e Rrogozhinës. Ka mjaftuar një gabim në prapavijë i futbollistëve kuqeblu dhe lojtari veteran i vendasve Vangjel Mile ka shënuar të vetmin gol të ndeshjes që në minutën e 16-të. Më pas, të dy ekipet kanë patur rastet e veta por nuk ka patur gol tjetër. Shkodranët në fakt kanë arritur të shënojnë në pjesën e parë por goli i tyre është anulluar nga ana e arbitrit. Miloti ka arritur ta dërgojë topin në rrjetë por arbitri ka akorduar gjoja faull kundër portierit kundërshtar. Përveç këtij momenti, Ruqi në një rast tjetër ka goditur shtyllën dhe po ashtu edhe Hajdari ka qenë shumë pranë golit por pa sukses. Trajneri Ervis Kraja ka luajtur me këtë formacion në këtë takim të parë të këtij kampionati: Në portë ka qenë Vjerdha ndërsa në mbrojtje kanë luajtur Ruqi, Kukaj, Miloti dhe Dema.Në mesfushë ndërkohë janë aktivizuar nga minuta e parë Balaj, Djepaxhia, Bega dhe Hajdari ndërsa në sulm kanë luajtur Erkoçeviq dhe Dibra. Sakaq, në pjesën e dytë ka patur disa minuta edhe për Tulen, Kolën dhe Kushin por edhe ata nuk kanë qenë në gjendje të ndryshojnë rezultatin dhe përfundimisht 1-0 për Egnatian. Javën e ardhshme “Vllaznia B” do të luajë sërish në transfertë, këtë herë në Pukë ndaj Tërbunit.